Nga Skënder Minxhozi/
Lajmi për projektin masiv turistik që dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner dhe investitorë arabë po përgatisin për ishullin e Sazanit dhe Zvërnecit, shpërtheu si një bombë e nënujshme në ambjentin politik e mediatik të Tiranës. Prej muajsh, qëkurse administrata Biden e ka shpallur non grata, Berisha dhe përkrahësit e tij të Rithemelimit, së bashku me mediat që ju qëndrojnë pranë, kanë nisur një qëndrim selektiv ndaj politikës amerikane. Në median afër opozitës ka më shumë lajme kundër Biden dhe kabinetit të tij. Jepen me kujdes ulje-ngritjet e sondazheve, kur ato pasqyrojnë avantazh për Trump, si dhe hidhen akuza të përditshme për faktin që demokratët amerikanë janë që të gjithë në xhepin e kostumit të Xhorxh Soros. Është ndërtuar një pritshmëri false për rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke u shitur me kujdes një fakt i tillë si një shpresë e drejtpërdrejtë për Berishën dhe fraksionin e tij politik.
Ndërkohë që kjo pjesë e opozitës rrokaniset duke harxhuar energji për fatin e dhëndrit të Doktorit dhe vetë Doktorin, Rama paska qenë duke mikluar oreksin turistik të dhëndrit të Donaldit të Madh. Atij që rrugica e priste si shpëtimtarin e orës së fundit, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ky “ngatërrim” dhëndurësh, në fakt thjesht figurativ e pa lidhje, tregon në fund të rrugës kotësinë dhe naivitetin e kalkulimeve (për të disatën herë) që bëhen në “katundin” shqiptar, kur është fjala për amerikanët.
Që këta të fundit janë një materie shumë fluide dhe kontradiktore për imagjinatën dhe parimet e shqiptarit normal, kjo është pak por e sigurt. Amerikanët janë aty, me interesat e tyre, të cilat s’duhen ngatërruar me interesat tona. Në momentin kur interesat e dy palëve, SHBA e Shqipërisë përkojnë, qeveritarët në Tiranë, majtas ose djathtas, kujtojne se i kanë miq amerikanët. Fjala vjen, kur Trump erdhi në pushtet në 2016, Rama e kishte sulmuar në CNN gjatë fushatës. Shumëkush parashikoi halle për kryeministrin shqiptar në vitet që do të vinin. Interesat që do pasonin, ku pozita e qeverisë shqiptare shihej si me peshë në politikën rajonale të SHBA në atë moment, bëri që Rama të mos merrte asnjë rrufe nga Uashingtoni për mallkimet ndaj Trump. Në fakt ajo që erdhi ishte pikërisht e kundërta. Amerikanët e mbajtën në pushtet Ramën edhe kur u ngrit Çadra e famshme në 2017, edhe gjatë krizës së dorëzimit të mandateve, kur opozita yshtte turmat e saj drejt mureve të Kryeministrisë, ndërkohë që ambasada e SHBA lëshonte paralajmërime të forta ndaj Bashës, Berishës e Kryemadhit.
Edhe tani, kur në Tiranën opozitare Trump po shihet si një shpresë për grupimin e Berishës, projektet e vilave të Sazanit e Zvërnecit vetëm sa na kujtojnë se në këtë botë interesat gjeopolitike dominojnë mbi humoret, simpatitë apo antipatitë personale.
Jetojmë në epokën e krizës së ideologjive dhe në botë ka sot shumë interesa të ndërthurura që e bëjnë të pakuptueshëm leximin e raporteve, marrëdhënieve dhe aleancave mes shteteve e qeverive, vetëm mbi kritere politike e përkatësie ideologjike. Që të faktorizohesh tek amerikanët duhet të kesh pushtet, por edhe të jesh i dobishëm për ta. Kjo aksiomë e vjetër vlen për të gjitha kohët dhe për të gjitha rrethanat. Kryeministrit aktual të Shqipërisë i kanë qëlluar të dyja, edhe pushteti, edhe nevoja e amerikanëve për Shqipërinë në momentin aktual. Nuk paska qenë i lindur me këmishë Edi Rama, paska qenë vetë këmisha!
Fjalia e fundit qe permbylle shkrimin/analizen, thjeshte brilante! I thote te gjitha!
Pse te duket cudi ty skender?
Paraja ben gjithcka
aspak nuk do cduitesha nese dhendri fiton miliarda ne sazan dhe vjehrri nenshkruan nje lehtesim te pozites se saliut ne shtepine e bardhe
ka ndodhur ne plot “katunde” te tjera kjo, katundar dhe naiv po tregohesh ti ketu, jo ata qe e dyshojne kete pazar te dyte qe plasi pas pazarit te pare