Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me strukturat e Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës, ku ka prezantuar edhe prefektin e ri të qarkut, Vangjel Tavon.
Rama u shpreh se PS fiton vetë në Vlorë dhe se nuk është çështje nëse socialistët fitojnë apo jo në qytetin bregdetar, por se çfarë do të bëjnë me fitoren.
Sipas kreut të qeverisë ajo që duhet të merret mbrapsht nga Vlora dhe gjithë vendi është një rritje ekonomike më e madhe, për të cilën duhet të bëhet “shumë më shumë”.
“Në Vlorë trëndafili fiton vetë, por çështja nuk është nëse fitojmë apo jo, por çfarë bëjmë me fitoren. Ajo që duhet të marrim mbrapsht nga Vlora dhe gjithë vendi është një rritje ekonomikë më e madhe, ndaj duhet të bëjmë më shumë, shumë më shumë”, u shpreh Rama.
Rama ka deklaruar se Vlora është vendi ku PS nuk ka marrë asnjëherë rezultatin që sipas tij mundet.
“Kudo në çdo cep të Shqipërisë ne mund të marrim shembuj sa të duam për progresin e bërë por edhe për rrezikun që progresi të mos vazhdojë si duhet. Vlora është një nga pikat ku shembujt e progresit të bërë janë të shumta por është dhe një nga pikat që mund të shihet se sa shumë ka për të humbur nëse PS nuk është në lartësinë e detyrës. Vlora është një vend ku ne nuk e kemi marrë asnjëherë rezultatin që mund të marrim”./m.