Qeveria ka gati vendimin për përfshirjen në proces dëmshpërblimi të dosjeve që janë në Ministrinë e Drejtësisë. Bëhet fjalë për 3 mijë ish-të përndjekur, që deri më tani nuk janë trajtuar për shkak se kanë aplikuar jashtë afatit, shkruan Panorama.
Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, vendimi është gati dhe do të miratohet shumë shpejt, duke u dhënë në këtë mënyrë mundësi të dënuarve dhe familjarëve të tyre të përfshihen në skemën e dëmshpërblimit.
“Ne po përgatisim një bazë të re ligjore, që ka të bëjë me ata të cilët e kanë humbur të drejtën e aplikimit, apo thënë ndryshe, kanë aplikuar jashtë afatit. Ky vendim do të miratohet shumë shpejt”.
Janë jo të paktë ata që, për shkak të mungesës së informacionit, nuk arritën të dorëzonin në kohë dokumentet e kërkuara, për pasojë mbeten jashtë procesit të dëmshpërblimit. Mësohet se nga tri mijë dosje të arkivuara, që ende nuk janë marrë në shqyrtim, 500 janë nga radhët e kategorisë parësore, pra që jetojnë.
DËMSHPËRBLIMI
Për 2016-n, ashtu si edhe një vit më parë, janë vënë në dispozicion dy miliardë lekë, ose thënë ndryshe 20 milionë dollarë. Nga këto, 14 milionë dollarë do të shkojnë për të dënuarit që janë gjallë, ndërsa pjesa e mbetur për trashëgimtarët. Sipas Financave, synohet që në harkun e këtij viti të realizohet ndarja e këstit të pestë dhe të gjashtë për kategorinë parësore dhe ndarja e pagesës së dytë për trashëgimtarët.
Vendosjen e një rendi përparësie për ish-të përndjekurit që janë gjallë, ministri Klosi e cilësoi pozitive. Sipas tij, kjo ka ndikuar në përshpejtimin e ritmeve të operimit.
“Ne kemi ndërtuar një sistem që funksionon shumë herë më mirë se më përpara. Nuk kemi pasur asnjë ankesë nga përfituesit. Dhënia e kësteve për ata që jetojnë, bazuar në rend përparësie, ka ecur më shpejt në raport me trashëgimtarët. Për kategorinë e parë janë ndarë 5 këste nga 8 të mundshme, ndërsa për përfituesit e radhës së dytë dhe të tretë deri më tani 2 këste. Çdo vit ka pasur rritje në buxhet sa i takon procesit të dëmshpërblimit”, theksoi ministri.
TRASHËGIMTARËT
Paralelisht me ndarjen e parave për ata që janë gjallë, do të vijohet edhe me trashëgimtarët. Ndarja e këstit të dytë për ta do të bëhet duke ruajtur rendin e pagesës së parë. Pra, ai që ka marrë këstin e parë, do të jetë në radhë të parë për të përfituar këstin e dytë, e kështu me radhë.
Fondi i limituar që është adresuar edhe këtë vit për këtë kategori e bën të pamundur çeljen e këstit të tretë brenda këtij viti. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se nga 23 000 dosje, vetëm 2300 janë nga të dënuar që jetojnë.
Pjesa tjetër janë nga radhët e trashëgimtarëve. Ndërkohë, akoma më i madh është numri i përfituesve, duke qenë se për një dosje ka më shumë se një familjar që ka të drejtë për të tërhequr pjesën e vet të dëmshpërblimit.
Panorama