Nga Enkelejda Mema
Me afrimin e parlamentareve çdo qelizë e socialistëve nga ajo më e vogla te e madhja është hedhur në sulm. 5400 kryetarët e organizatave socialiste po kërkojnë anëtarë të rinj. Numri i përcaktuar nga kryesocialisti Edi Rama është katër ku barazia gjinore është kriter.
“Priten që në këtë fushatë anëtarsimesh deri në 15 mars kur ne do të kemi asamblenë kombëtare do të kemi një numër të shtuar në anëtarësime të Partisë Socialiste mbi 20 mijë anëtarë të rinj, nga të cilët mbi 10 mijë do të jenë vajza dhe zonja, dhe një pjesë e mirë e tyre do të jenë të rinj”, tha sekretari i përgjithshëm i PS Blendi Klosi.
Blendi Klosi sekretari i përgjithshëm i PS, që pas Edi Ramës udhëheq këtë fushatë thotë për Vizion Plus se “gjaku i ri” po kërkohet jo vetëm mes socialistëve por edhe te elektoratet e kundërshtarëve.
“Ne kemi një situatë aktive në parti rreth 80 mijë anëtarë, që do të shtohet me 20 mijë anëtarë të rinj. Këto nuk mund të mjaftojnë për mbi 800 mijë votat që ka PS, prandaj detyra është shumë e qartë për të gjithë strukturat tona organizative, është që të ketë jo vetëm ata që janë votuesit tonë tradicional po të shtrihet edhe më shumë se kaq, të asaj që kemi thënë, përtej të majtës dhe të djathtës”, shtoi Klosi.
Ky turravrap i socialistëve me anëtarësimet, që do të pasojë një asamble, kongres dhe kryesi të re nuk janë parathënia e zgjedhjeve të parakohshme, por faza përgatitore për një skuadër që Edi Rama thotë se në 2025-ën do të arrijë rezultatin më shembullor të socialistëve nga të gjitha garat e fituara nga ajo.
“Do të kemi zgjedhje në ditën që u takon, pra në pranverën e vitit tjetër. Është vetëm një vit nga sot, një vit që nuk është asgjë për një parti që kërkon të organizojë veten e saj në të gjithë Shqipërinë, për një parti që kërkon të marri mandatin e saj të katërt”, tha ai.
E shtuna do ta gjeje qeverinë, pushtetarët vendorë dhe partinë në Shkodër. Zgjedhjet pas dere janë arsyeja që socialistëve i duhet të kalojnë në sitë çfarë është bërë dhe çfarë duhet të bëjnë që çdo vendimarrje e radhës të përkthehet edhe në vota./vizionplus