Nga Skënder Minxhozi/
Ende sot në Partinë Demokratike viti 2005 shihet si një moment magjik, që solli atë që mendohej e pamundur: pushtetin dhe qeverisjen. Ishte një moment kur Sali Berisha e kuptoi se reputacioni i tij i rrënuar që lidhej me fajdet dhe të vdekurit e vitit 1997, nuk do ta çonte larg në garën përballë Nanos. Bëri të vetmen gjë të mençur që mund të bënte. U fsheh pas një plaftorme (të pretenduar) dhe një grupi burrash e grash që lejoi të futen në korridoret e podiumet e partisë. Lindën kështu koncepte si hapja e partisë, krijimi i KOP-it dhe afrimi i të rinjve të shkolluar, ide të cilat u përpunuan me insistim në media dhe opinionin publik, për të krijuar pershtpjen se partia dhe lideri i saj kishin ndryshuar. Sali Berisha u fsheh pas djemve të KOP-it dhe mocionistëve të dikurshëm që ishin rikthyer në vathë, për të gënjyer votuesit e mërzitur nga tetë vjet qeverisje vanotize e socialistëve.
Kamuflimi i Doktorit pas një platforme dha frytet që priteshin. Berisha fitoi zgjedhjet por nuk bëri asgjë që t’i largohej identikitit të tij të dekadës së parë të pluralizimit. Gërdeci dhe 21 janari treguan se ai thjeshtë ishte veshur me petka të tjera, por jo me mentalitet të ri. Operacioni elektoral 19 vjet më parë, i transformimit të PD nga një parti e paprezantueshme në publik, në një forcë politike që fliste për projekte e ide të reja (me kryetar të vjetër), është një dëshmi solide e faktit se vota sugjestionohet, nëse produkti shitet dhe ambalazhohet bukur.
Sot PD ndodhet jo vetëm e copëzuar si një pasqyrë e thyer mbi dysheme, por edhe përballë një dileme të vjetër egzistenciale: t’i hyjë shtegut të vështirë të ndërtimit të një alternative, apo t’i jepet tundimit të lehtë e nostalgjisë për bariun e vjetër që vazhdon të mbajë psallme majë dritares së shtëpisë?! Rreth një lideri të vjetër e të konsumuar deri në asht, apo rreth një platforme të re politike, me një figurë gjithashtu të re drejtuese, që të mos quhet as Sali Berisha, as Lulzim Basha?!
Në vitin 2005 Partia Demokratike e pati rastin të bëjë një zgjedhje hibride. Mbajti kreun e partisë dhe i dha të mësonte përmendësh disa paragrafë sa për të dhënë përshtypjen se “nuk është më ai i pari”. Sot, kur në ura ka rrjedhur shumë ujë, ai eksperiment thjesht nuk funksionon më.
Megjithatë brenda Rithemelimit kujtojnë se mund të sfidojnë edhe kohën, edhe ligjet spartane të saj. Vijojnë të bërtasin “Poshtë komunizmi” dhe “Rroftë Sali Berisha” megjithëse i pari ka vdekur prej 33 vitesh, kurse i dyti mbush 80 vjeç pas tetë muajsh. Përtej çdo logjike dhe realiteti shifror, një listë deputetësh ju bashkuan së fundi Rithemelimit, në një tentativë të qartë për të shpëtuar fatin politik personal, duke fundosur fatin e të gjithë partisë. Duan mandatin, por jo PD-në!
Përsëritja e precedentit të vitit 2005 sot është një ëndërr në beze, siç thonin dikur shkodranët për kinemanë. Të transplantosh atë fitore sot në mozaikun e franksioneve e rrymave të PD, do të thotë të mos kesh asnjë sens gjykimi politik dhe realizmi. Të shpresosh se për Berishën ka ende edhe një tren të orës së vonë, që pritet t’i kalojë tek këmbët në 2025, është naivitet foshnjor.
Grupimi rreth bariut të vjetër dhe lënia pas e procesit jetik të nxjerrjes së partisë nga epoka e tranzicionit 33 vjeçar shqiptar, ku edhe kjo parti ka qenë dhe është një faktor përcaktues, po shënon sot degradimin fundor të PD. Kinse nostalgjia për kohët e lavdishme dhe për shefin e plakur të partisë, është akti më irracional që opozita e sotme po bën, në shërbim të hapur të zgjatjes së pushtetit të Edi Ramës. I cili ka luksin të mendojë me qetësi, nga lartësia e tre (së shpejti katër) mandateve qeverisëse, për pasardhësin e tretë në krye të PS pas rënies së komunizmit, ndërkohë që kundërshtarët e tij janë lidhur me litar pas këmbëve të karriges së të parit.
Partia Demokratike po krijon precedentin negativ të nënshtrimit të fatit të saj ndaj idolatrisë së verbër për Sali Berishën. Një qëndrim antihistorik dhe vetëizolues, që dëmton indirekt të gjithë spektrin politik shqiptar, që vuan prej kohësh pleqërinë e thellë politike të krerëve partiakë. Shqipëria është e etur për ide dhe fytyra të reja. Kapja pas idhujve të rremë të të shkuarës traumatike vetëm sa e vonon këtë nevojë urgjente për të dalë nga rrethi vicioz i një demokracie të brishtë, të paplotë dhe të korruptuar.
Zoti Minxhozi, lutem, botojeni këtë shkrim të Frederik Ndocit.
Mendoj që ka shumë vlera, si njerëzore e humane, ashtu edhe letrare për të gjithë shqiptaret.
mbet’ koha e ndalun brezave me rradhë të tan qytetit, sepse dikush e paska kuptu që para 32 vjetëve se nuk u duhej ma Ora shkodranëve për 32 vjet.
Fshehësi i orës së qytetit dëshironte që nji ditë ta kthente prap, po kujt? Kalonin mbi qytet nomenklatura të reja, kalonin vite, tërmete, rrënime, dhunime, tubime, largime, harrime, shkelje, mashtrime, festivale, tritol, tubime, premtime, karnivale…nga ndonjëherë digjesh dordoleci (!!!).
Qyteti mbahesh peng në emër të besnikërisë ndaj gjysem birit të vetshpallun i lindun shkodran (Tepelenë e Gjakovë). Përfitoi nga ky fakt edhe shtëpia e Oso Kuka-s me u ba muzeum…se Osoja e kish pas për nder që pasi u dogj në kull’ të barotit në Cetinë, do kish mbet’ as legjendë, do kish hup siç hupi në tymin e fuçive të barotit kur ia dha flakën.
U shemb shtepia e Gurakuqëve për të mbijetue historia e akteve e heroit të perestroikave kombëtare, të cilit Shkodra post- perestroikane, i ndejti aq besnike, sa edhe sot disa (jo shumë shyqyr) klithin e çirren me dy gishtat në forme V, atje në Tiranë, poshtë katit të 6-të të pallatit të ikonës së fundit të komunisteve stoikë.
“Pluralizëm do të thotë”-thirri para mikrofonit ish- presidenti i 1990- ës. Tani e tutje meqë partia krijoi grupin e parë opozitar PD, PR, PDK, PSD etj., PS do jetë vazhdimi i PPSh- së.
Kush me e marr vesh se ish dhuratë nga Ora? Kush ta merrte vesh se duhej besue edhe pas dekadash se PD ishte kundër ish- anëtarëve të Byrosë që u dënuen pa mëshirë se na vodhën kafenë. Për çdo kokçrr kafe duheshin dënuar.
Në javët e para të dhuratës që sapo u besue, natën, nji nostradamus shkodran, ngrihet sommabul, (ndoshta i vetëm) ngarkon Sahatin apo ndoshta vet Ora e Shkodrës i lutej për natë dhe i kërkoi ndihmë ta strehonte, që turma ta copëtonte edhe këtë si copëtoi në emër të demokratëve uzina, fabrika, reparte ushtarake, plantacione vreshtash, pyje, ndërtesa, njerëz.
E mori Orën e jo sahatin. “Kjoftë sahati i hajrit”. Thirri ndërgjegja e shpirtrave për rreth. Ai ia fshinte pluhurat për çdo ditë. E ledhatonte.
Lindja e perendimi i diellit edhe pse konsumonte jetën e tij ai dashurohej me Orën e qeshte dhe tallej…me ata që nuk e kishin me ata qe as nuk interesoheshin se kur e si ju vdiq Ora apo i iku Ora.
Ah bani qejf por Ora asht këtu, e ju Orën e Shkodrës ku e keni?!? Atij nuk i mbushej mendja se çdo kontigjent i ri i monizmit të dytë nuk sillte diçka sado pak progres, pra nuk ishin të duhurit. Ky paska kenë komunist i devotshëm dhe opozitë 32 vjeçare. Por jo besa.
E paska dasht Shkodrën krejt si unë që “e due ma shumë se partitë”. Kush ban sadopak për Shkodrën, për mu e shumë “open minds”, asht i duhuni.
Paska ken jo opozitar por nga njerëzit edhe me ca hije në të kaluemen.
E atij i dukej se në tan këta dekada, edhe pse koha po konsumohej keq e aq shpejt por disi po ngazëllehej, se paku ai ishte me Orë. Sepse dikush qytetit po ua vidhte sekondat, minutat, javët, muajt, vitet, jetën në nji mënyrë a nji tjetër edhe këtij.
Para disa ditësh ky heroi i pa emën, pa operacion okulistik, i pa detyruem nga forcat e policisë, u vetëdorëzue. Ndoshta ai asistoi në djegien e dordolecit të karnivaleve ma të bukura e masive në 150 vjet në qytetin e tij.
E imagjinoj të përlotuem sepse ma në fund erdh dita…e shum pritur. Mendoi: “Shkodrës iu kthye Ora”. Për ne Gegët, Ora ka nji personifikim shumë ma të madh se fati, sepse e lidhin me ShtoiZo’vallet e me Orët e Maleve. “Ndihmo Zot e Ora e Shalës”, kaluen breza me radhë. S’ ka pas ofendim ma të madh me t’ofendue se “të vdektë Ora”.
Orët (Zanat) e Maleve vallzonin në prani të herojve të tyne mitologjik. Oret shuenin etjen e trimave. Orët ushqenin me qumështin e gjirit të tyne dhe bekonin herojt’ e ardhshëm. Oret po të mallkonin, ishte katastrofë e ardhmja në përgjithësi për atë njeri, për atë fis, për atë krahinë, për atë shtet.
Orëve shpesh Zeusi ia plotësonte deshirën edhe me i gjuejt’ me rrufe ata që i lëndonin, dragojt, djajt dhe reptilat.
Me praninë e bekimin e Orëve paralajmërohesh edhe ndërrimi i epokave dhe mirësive, p.sh. mitologjia thotë se Orët rriten me qumështin e gjirit edhe Aleksandrin, Pirron, Gentin , Teutën, Bardhylin, Gjergjat, Mujon e Halilin…
Epokë e re. Shqipnisë pak ma përpara por tashma Shkodrës, iu kthye Ora. /Nga Frederik NDOCI,