Zëdhënësja e të ndjerit Alexei Navalny, Kira Yarmish tha sot se autoritetet ruse i kanë thënë nënës së tij se djali i saj duhet të varroset në koloninë e burgut ku ai vdiq, nëse ajo nuk pranon brenda tre orësh ta varros atë pa një funeral publik.
“Një orë më parë, një hetues telefonoi nënën e Navalny dhe i dha një ultimatum. Ose bini dakord brenda tre orësh për një funeral të fshehtë pa një lamtumirë publike, ose Alexei do të varroset në koloninë e burgut”, bëri me dije Kira Jarmis.
Jarmis tha se nëna e Navalny e hodhi poshtë ultimatumin dhe vazhdoi të kërkojë që trupi i tij t’i dorëzohej asaj.
“Ajo vetë ka refuzuar të flasë me Komisionin Hetimor, sepse nuk kanë kompetencë të vendosin se si dhe ku do të varroset djali i saj, kërkon respektimin e ligjit, i cili kërkon që mjekët të dorëzojnë trupin brenda dy ditëve nga përcaktimi i shkakut të vdekjes. Sipas dokumenteve mjekësore që ajo ka firmosur, ky afat dyditor skadon nesër. Ajo këmbëngul që autoritetet të lejojnë që ceremonia e varrimit dhe funerali të bëhet në përputhje me traditat”, shkruan Jarmis.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga autoritetet.
Nëna e Navalny, Ludmila, 69 vjeç, ka kërkuar prej ditësh që autoritetet të dorëzojnë trupin e tij për t’u varrosur në një mënyrë që do t’i lejonte miqtë, familjen dhe mbështetësit e tij të thonë lamtumirën e fundit.
/f.s