Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një urim për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit. Por lajmi në këtë rast nuk është ky.
Në një spot të publikuar në “Facebook” nga Albin Kurti në asnjë moment nuk janë përfshirë emrat e njohur, të cilët lexuan deklaratën e shpalljes së pavarësisë.
Me këtë akt Kurti ka zgjedhur publikisht të “retushojë” firmëtarët e shpalljes së pavarësisë, si Hashim Thaçin, Fatmir Sejdiun apo dhe emra të tjerë.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Studime Europiane dhe Globale, Jeton Halimi, në “Ballkan Update” u shpreh se ky spot është një veprim i keq dhe nxit tensione të brendshme në Kosovë.
Ai theksoi se Albin Kurti duhet t’i thërrasë mendjes dhe të korrigjojë spotin në fjalë dhe të përfshijë firmëtarët e vërtetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, këto veprime tregojnë se në Kosovë “po lind një Enver Hoxha i dytë”.
“Është e pandershme dhe është shumë e keqe. Kjo nuk i bën mirë Kosovës. Kjo nuk i bën mirë as popullatës dhe as vetë Kurti. Një inat i tepruar në këto ditë kaq të mira në përvjetorin e pavarësisë. Ky spot duhet të hiqet, të bëhet i ri, dhe të nxirren të gjithë nënshkruesit e pavarësisë dhe nuk duhet të ketë inate deri në palcë dhe kjo çon në shtim të konflikteve të brendshme. Kjo po nxit përçarje mes popullatës. Të hiqet sa më shpejt. Në Kosovë po lind një Enver Hoxha i dytë. Shpresoj që ky spot të hiqet sa më shpejt. Jam i shokuar.”, tha ai
Ai po ashtu kritikoi ashpër qasjen e ndjekur nga Albin Kurti në politikën e jashtme. Sipas Halimit, Albin Kurti duke shpërfilluar apelet e aleatëve perëndimorë, po e çon shtetin e Kosovës drejt humnerës.
“Kosova po rrezikohet shumë, sidomos nga aleat kryesor, qe ka bërë Kosova, SHBA. Mosmarrja parasysh e këtyre apeleve të aleatëve nga Kurti kjo përfundimisht e çon Kosovën në humnerë”, tha ai./m.j