Nga Ervis Iljazaj
Ndalimi i përdorimit të dinarit në Kosovë në këtë moment dhe pa u konsultuar më aleatët, sidomos me Shtetet e Bashkuara, ka futur edhe njëherë Albin Kurtin dhe Kosovën në një marrëdhënie konflikti me ta. Në fakt kjo nuk është hera parë që Albin Kurti hedh hapa politikë dhe të rëndësishëm, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet me Serbinë pa u konsultuar me ndërkombëtarët.
Edhe ky i fundit është një i tillë. Një masë e panevojshme, e nxituar dhe sidomos në këtë moment. Dhe reagimet nuk kanë munguar nga ana e ShBA dhe aleatët e tjerë. Pikërisht, sepse ky është një konflikt si një rrufe në qiell të hapur. Aq me tepër në këtë moment delikat në të cilën gjendet gjeopolitika rajonale me tensione të cilat po shpërthejnë dita-ditës. Tensione të cilat kërkojnë një rakordim nga ana e Kosovës me aleatët perëndimor të saj.
Duket sikur Albin Kurti nuk rri dot pa krijuar konflikte të tilla me Perëndimin. Këtë gjë e ka treguar që nga koha që qeveris Kosovën. Fakti është se Albi Kurti është peng i politikës dhe filozofisë së tij. Pa një kauzë nacionaliste duket sikur nuk mund të qëndrojë dot në pushtet. Duke qenë se Kosovën nuk e qeverisë dot me idetë e tij etatiste, atëherë popullaritetin e tij e ka të domosdoshëm ta ndërtojë mbi kauza të cilat ndoshta ndihmojnë atë personalisht, por në fakt dëmtojnë pozicionin e Kosovës.
Albini Kurti ende nuk e ka kuptuar, ose më saktë bënë sikur nuk e kupton, se beteja e Kosovës nuk është me Serbinë por me Perëndimin. Në kuptimin që Kosova duhet të bëjë çdo gjë për të pas në krahë të saj ShBA dhe aleatët e saj perëndimorë. Beteja me Serbinë, fatkeqësisht të gjithë e dimë se si përfundon. Nuk është nevoja për ta rikthesuar. Ajo është një luftë e humbur. Kosova, por shqiptarët në përgjithësi, historikisht, sa herë që kanë pasur Perëndimin në krahë kanë fituar, sa herë e kanë pasur kundra kanë humbur. Këtë na ka mësuar historia, dhe këtë duhet ta kemi parasysh gjithmonë.
Të gjitha idetë e tjera me romanticizma patriotikë janë tru-shpëlarje dhe asgjë tjetër. Nëse Kosova e fiton betejën për ta pasur në krahë Perëndimin, e ka të sigurt edhe fitoren ndaj Serbisë.
Megjithatë Albin Kurti po mban peng çështjen e Kosovës dhe politikën e saj me radikalitetin e tij politik, që ndoshta zgjidh fatin e tij, por jo atë të Kosovës. Duket sikur nuk del dot nga rrethi vicioz i radikalit. Radikalet, zakonisht janë peng të politikave të tyre. Për të mbijetuar në politikë duhet të bëjnë akte të tilla. Sepse nëse sillen të arsyeshëm i bie e gjithë ideja politike mbi të cilën kanë ndërtuar karrierën e tyre. Dhe duke qenë një politikan dogmatik, arsyeja është një tipar që nuk e përdor. Jo sepse nuk do , por sepse nuk mundet.
Problemi qëndron, se kjo dogmë nacional socialiste, është duke e larguar gjithmonë e më shumë Kosovën nga aleatët e saj perëndimorë dhe ShBA, të cilët janë arkitektët e pavarësisë së saj. Nëse bëjmë një bilanc se çfarë ka arritur Kurti me ketë politikë duhet të pyesim nëse Kosova është më e sigurt apo ajo? Nëse është zgjidhur çështja e saj apo ajo? Nëse ka më shumë aleatë ndërkombëtarë apo jo? Të gjithë janë pyetje të cilat fatkeqësisht nuk kanë përgjigje pozitive.