Delegatët e Partisë Socialiste, do të zgjedhin nga procesi i votimit në Pallatin e Kongresit, anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Nga ky proces votimi do të zgjidhen 175 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare dhe 9 anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Por ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme në PS, në këtë proces, nisur në rreth orës 23 të së shtunës, çdo delegat do të votojë vetëm për anëtarët e qarkut të tij.
Të drejtën e votës, përveç delegatëve të zgjedhur për shkak të zgjedhjeve të brendshme të partisë e kanë dhe 620 të tjerë që e përfitojnë atë për shkak të postit që mbajnë si: deputetët, kryetar partie e bashkie dhe ish-president. Ndryshe nga herët e tjera, ky kongres do të jetë vetëm një ditë. Por në një prononcim për mediat pas caktimit të referendumit për kryetarin, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla sqaroi se votimi dhe numërimi i votave mund të zgjasë gjatë natës dhe të dielën publikohen edhe emrat e anëtarëve të rinj.
Kongresi i Partisë Socialiste, i cili vijon punimet që nga ora 10. 30 e paradites së të shtunës miratoi vonë në mbrëmje, ndryshimet statutore të propozuara, me shumicë votash. Ndërkohë pas miratimit të statutit, Kongresi vendosi për mbajtjen me 9 prill të referendumit për kryetarin. Kryeministri Rama kërkoi mbajtjen e referendumit lidhur me statutin, për t’i dhënë fund siç tha ai, kësaj çështje debati me alibira sebepesh dhe pa asnjë çështje argumentash.
“PS për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”, me këtë moto, socialistët shqiptarë i hapën udhën punimeve të kongresit të shumëdebatuar. Në të marrin pjesë 1.460 delegatë, shumica e të cilëve për herë të parë në një kongres.