Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Koçi akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është një politikan intrigant, kjo sipas tij, ai formulon përrallë dhe fillon e tregon, e pasi e thotë 100 herë e beson edhe vet.
Po ashtu, deputeti Koçi zbuloi arsyet se çfarë fshihet pas sulmeve të ish-kryeministrit Berisha ndaj Prokurorisë Speciale (SPAK), ndërsa shpreh bindjen se korrupsioni në Shqipëri do të shkërmoqet.
Në Partinë Demokratike ka personalitete politike që në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në një linjë konstruktive, pavarësisht se ca raporti mund të kenë ata me çështjen Berisha. Mua më duket normale që i gjithë delegacioni të jetë bashkë, nuk besoj se kjo ndikoj në sjelljen e opozitës në Parlament, sepse ajo varet nga statusi ligjor në të cilën ndodhet Berisha. Çështja e ‘non-gratës’ është diçka e vjetër. Sali Berisha është në këtë gjendje juridike dhe mund të jetë e lehtë edhe për subjekte të tjerë që mund të kenë prova që ta kallëzojnë edhe për çështje të tjera.
Sali Berisha formulon përrallë dhe fillon e tregon, pasi e thotë 100 herë, e beson edhe vet. Është automatik në këtë pjesë, në pozitën që ai është i duhet t’i bëjë këto për të pretenduar se ai është një engjëll dhe djalli është diku tjetër. Në Shqipëri ka rënie perceptimi mbi korrupsionit është meritë e SPAK dhe jo e politikës. Kur SPAK ishte virtual atëherë e mbështesnin ata, kur filloj që të veprojë thanë është organizatë kriminale.
-Aksioni opozitar vazhdon, ndërsa Berisha është në arrest shtëpie. Pse thoni që ky aksion është në drejtimin e Sali Berishës, pasi opozitarët thonë nuk ka lidhje me Berishën kjo që po bëjmë, por me disa të drejta që ne po na mohohen si janë komisionet hetimore ?
Komisionet hetimore nuk po i mohohen tani opozitës, por shumë më parë se të dilte kjo çështja e Berishës, atëherë pse opozita nuk e ndërmori më parë këtë aksion por po e bënë tani. Unë them se kur Sali Berisha do hetohej atëherë ka nxitur aksionin opozitar. Ata kanë kërkuar komision hetimor dhe çështja e kryesimit të komisionit të reformës zgjedhore është çështja numër 1. Ata do gjenin një sebep për të bërë atë që kanë bërë deri tani. Ne se kemi pasur në dorë për ta ndaluar këtë gjë sepse ishte një gjë e parapërcaktuar. Opozita për shkak të hapave që mori ka ngecur dhe duan që të gjejnë një rrugëdalje. Unë them se do përpiqemi që t’i ndihmojmë, për ndonjë çështje do ketë ndonjë rrugëzgjidhje.
-Reforma zgjedhore të gjithë thoni se është e rëndësishme por të gjithë atakojnë njeri tjetrin sikur nuk duan që Shqipëria të mos ketë kod të ri zgjedhor, shumica e deputetëve demokratë thonë se janë ata të PS që pengojnë zbatimin e kërkesave të tyre?
Reformën nuk e bënë komisioni, duhet që ta votojë parlamenti. Do bëhen ndryshime mendoj se do të gëzojnë mbështetjen e mazhorancës dhe të një pjesë të opozitës. Politika ka shumë çështje nën administrim dhe kjo është një nga çështjet dhe e udhës është që të bëhen ndryshimet.
-Po sa i përket votimit elektronik si e shihni?
Mund të bëhet. Praktika e pilotuar tregoi se është diçka e mirë. Unë mendoj se këto vitet e komunizmit i kanë shqiptarët që të jenë pak konspirativ, por në demokraci është pak komike. Politikanët e bëjnë këtë gjë për të justifikuar edhe humbjet dhe sepse ka një lloj mosbesimi mes forcave politike.
-Si mendon se do të shkoj fati i Reformës Zgjedhore?
Ne kemi vetëm një dilemë që është situata në të cilën është sot Partia Demokratike, është në një krizë politike, ligjore dhe organizative. Për ne ka rëndësi kush ka vulën sepse gara elektorale bëhet mes subjekteve, por shumicën e ka Bardhi me Berishën. Në këtë lloj dileme ne duhet që të presim që kjo gjë mund të ketë një zgjedhje, për ne ka rëndësi që të kemi një reformë që mbështetet nga të gjithë.
-Ju do ta miratoni këtë reformë pa konsensus?
Do shkohet drejt miratimit me konsensus e të gjithëve mundësisht, jemi të hapur me konsensus me të gjithë.
-Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka humbur privilegjin e pasaportës diplomatike, pavarësisht sqarimit nga ministria e Jashtme a është ky veprim një mënyrë për të treguar se distancohet nga deputeti i vet që përballet me drejtësinë dhe është në arrati?
Mazhoranca e ka treguar kur ka votuar heqjen e imunitetit, kjo është diçka teknike dhe nuk është akt politik.
-Hakerat kanë sulmuar faqen e ueb të Institutit të Statistikave dhe kanë thënë se goditja e radhës do jenë bankat, a është diskutuar në komisione ndonjë strategji si të mbrohet vendi nga këto hakerime?
Është diskutuar në dijeninë time, janë bërë edhe dëgjesa për këtë por problemi është relativiteti i sistemeve mbrojtëse. Hakerat kanë hyr edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka një sistem absolut mbrojtje. Ky është kapacitet teknik, nuk rregullohet me fjalë, bëhet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që sigurisht që ka sisteme të forta mbrojtje, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura nuk ka pasur ndonjë rast ku të jetë cenuar kjo pjesë e sistemeve tona elektronike.
Ka edhe duhet investuar edhe më shumë, duhet që sektori i mbrojtjes kibernetike duhet një sistem bashkëpunimi me bankat në këtë fushë sepse kuptohet që Irani vazhdon të jetë aktiv në sulmet ndaj integritetit të vendit, jo vetëm në Shqipëri por kudo. Irani në disa shtete me grupe dhe organizata dhe kriminale është duke vepruar kudo në rajonin e lindjes së mese. Është një situatë që na vë të gjithëve në alert, sepse synon të cenoj edhe interesa në rrafsh ekonomik.