Për të shlyer faturat apo për të blerë ushqime në supermarket, qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kryen gati 18 milionë pagesa me kartë deri në fund të nëntorit të vitit të shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë, duke madje u zgjeruar 14.4 për qind në raport me gjithë vitin 2022.
“Shohim që kemi një rritje të përdorimit të kartave në numër transaksional dhe volum, por edhe në numri e tyre si instrumente pagese. Kemi një rritje prej rreth 2.6 për qind në numrin e kartave të lëshuara në treg. Shumica janë për “debit cards” jo për “credit cards”, por kjo është edhe nga mënyra se si është i edukuar tregu ynë, por edhe në volum kemi një rritje të konsiderueshme”, thotë Eneida Thomaj, eksperte e sistemeve të pagesave.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se vlera totale e pagesave me kartë në janar-nëntor 2023 arriti në 136.5 miliardë lekë apo rreth 1.3 miliardë euro. Në raport me gjithë vitin 2022, vlera e pagesave elektronike u zgjerua me 2.7 herë.
“Faktorët janë të ndryshe. Nisin me mbështetjen e institucioneve, vazhdojnë me pandeminë dhe kulmojnë me turizmin. Vijnë njerëz me një tjetër kulturë pagese. Ne duhet t’i përgjigjemi”, thekson ajo.
Duke e cilësuar si “legjitime” kërkesën e kryeministrit Rama, ekspertë të sistemit të pagesave vlerësojnë se dhënia e pensioneve në banka do të ndikonte në uljen e qarkullimit të parasë “cash’.
“Janë rreth 13.14 milionë transaksione që kryhen në cash për pensionet në vit. Nëse flasim për një kartë sociale, automatikisht një shtresë e popullsisë jo vetëm që pajiset me kartë, por këto transaksione nga cash kalojnë automatikisht në mënyrë elektronike”, shton Thomaj.
Si pasojë e zgjerimit të turizmit si kurrë më parë, gjatë vitit të shkuar u shtua numri i pikave të shitjeve elektronike për të arritur në mbi 18 mijë e 500 nga rreth 16 mijë gjatë 2022-shit./m.j