Ish-deputeti Arben Meçe i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, komentoi dokumentin e vendimit të gjykatës së Strasburgut lidhur me vrasjet në 21 janar 2011. Meçe tha se vendimi tregon se bëhet fjalë për një krim shtetëror.
Meçe tha se 21 janari ishte një skemë e përgatitur nga Berisha i cili sipas tij, kishte si plan A provokimin e turmës së protestuesve dhe më pas dhunimin e tyre brenda gardhit rrethues së kryeministrisë por ku pa që kjo nuk funksionoi, atëherë kaloi në planin B që kishte të bënte me hapjen zjarr ndaj protestuesve.
“Ajo që ishte më provokative ka qenë policia e shtetit sepse është absurde që të nxirret ajo masë policësh përballë një turme njerëzish. Nuk vendoset asnjëherë policia përballë turmës në atë formë sepse ndryshe do thotë provokim.
21 janari u parashikua nga shumë analistë që do ishte përplasje e fortë. Skenari i përgatitur nga Berisha ishte që kjo turmë të provokohej, të futej brenda gardhit dhe të goditej. Kur kjo skemë dështoi, u përdor plani B. Që ishte më i rrezikshëm sesa plani A dhe më i paramenduar”- tha Meçe.
Ai i cilësoi vrasjet e 21 janarit si të kryera me paramandim, ndërsa solli në kujtesë edhe faktin që ish-kryeministri Sali Berisha ndërtoi skenën e krimit duke e quajtur si një “grusht shteti”. Sa i takon hetimeve nga prokuroria e Tiranës, ish-deputeti Meçe tha se ky është krimi më i madh i drejtësisë që një vrasje të ndodhur nga shteti kërkon ta shtrembërojë.
“Të sjell në arsyetimin se çdo gjë që ka ndodhur, është vrasje me paramendim. Nuk është më vrasje as me rikoshet, as nga pakujdesia. Plani B ishte për të inskenuar një skenë krimi me puçistë. Urdhri ka ardhur nga Sali Berisha. Doli menjëherë dhe gjatë gjithë kohës foli për të prodhuar skenën e krimit.
Në orën 11 ishin prerë urdhrat për të arrestuar një masë njerëzish duke i përcaktuar si “puçistë”. Mes tyre isha dhe unë e 4 gazetarë. Personi që i prodhoi këto, që vrau e organizoi të gjitha këto, ka dalë jashtë loje dhe i gjithë hetimi ka përfunduar nëse gëzhoja e plumbit ka dalë nga komandanti i gardës. Ky është krimi më i madh i sistemit tonë të drejtësisë që vazhdon të shtrembërojë një vrasje të ndodhur nga shteti” shtoi ish-deputeti./m.j