Situata problematike e krijuar nga moti me reshje të dendura dëbora në fshatrat e bashkive Librazhd e Përrenjas është zbutur së tepërmi mesditën e të dielës.
Pothuajse të gjitha rrugët rurale që u bllokuan nga dëbora trashësia e të cilës në disa fshatra shkoi mbi 40 cm janë hapur dhe energjia elektrike është rikthyer pas orës 02:00 të kësaj fundjave.
Nën/Prefekti i Rrethit të Librazhdit Josif Laska e cilëson situatën e krijuar së fundi nga moti i keq nga më të vështirat gjatë këtij dimri. Por pavarësisht problemeve të shumta të krijuara pothuajse në të gjithë territorin e bashkive të Rrethit të Librazhdit, situata e emergjencës së krijuar u menaxhua dhe u përballua me sukses.
Në të gjitha segmentet e bllokuara rrugore u punua me forca e mjete të shumta për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre për të rikthyer normalitetin dhe për të rritur shkallën e sigurisë në qarkullimin e automjeteve.
Edhe në qytetet Librazhd dhe Prrenjas ku ra dëborë u morën masa për të evituar problematikat. Një volum pune i jashtëzakonshëm u krye për riparimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike dhe shtyllave të dëmtuara të rrjetit të tensionit të mesëm pasi moti i keq ishte pengesë për punonjësit e OSHË.
Aktualisht energjia është rikthyer në të gjithë territorin, pas punës së bërë gjatë gjithë natës. Ndërkaq edhe në fshatrat malorë të bashkive Elbasan e Gramsh rrugët janë pothuajse të hapura dhe energjia elektrike mungon në shumë pak lagje.
/a.r