Ushtrimi i të drejtës për t’u shprehur si e drejtë për të dhënë mesazhe përmes vijave e ngjyrave, ishte pikërisht ky reflektim që transmetoi sot ekspozita “Vizatime të lira”, në kuadër të Pranverës së Frankofonisë në Shqipëri.
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Tiranë dhe Institutin Francez u çel pasditen e së enjtes ekspozita “Vizatime të lira” (Dessins en liberté), duke marrë shkas nga nga sulmet mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo”.
Kjo ekspozitë merr shkas nga sulmet e janarit të 2015 mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo” ku krijimet u prezantuan si bashkëpunim i të përjavshmes ‘Courrier International’ me Institutin Francez.
Ambasadori Francez në Shqipëri, Bernand Fitoussi i pranishë në këtë aktivitet, gjatë fjalës së tij falenderoi kryeministrin Rama për mundësinë e këtij organizimi.
“Së pari dua të falenderoj kryeministrin për mundësinë e këtij organizimi. Kryeministri Rama para disa ditësh tha se Bashkimit Europian i duhet Shqipëria pasi Europa ka nevojë për pak humor”, tha ai.
Po ashtu, ambasadori ndau disa kujtime nga rinia e tij në lidhje me karikaturistët e gazetarët e vrarë në Francë, të revistës “Charlie Hebdo”.
“Kur isha i ri unë largohesha nga liceu çdo të mërkurë dhe blija këtë gazetë. Këta artistë të ‘Charlie Hebdo’ kanë qenë pjesë e rinisë time ndaj jam prekur edhe më shumë nga atentati kundër tyre. Ajo që ndodhi ishte një sulm kundër frankofonisë, pra aftësisë për të folur frengjisht. Është interesante sepse ata artistë flisnin frengjisht pa përdorur fjalë por duke i futur fjalët tek kutizat e vogla”, tha ai.
Më tej, diplomati francez sqaroi se cilat ishin kufijtë e lirisë sipas mënyrës franceze.
“Më kanë pyetur në lidhje me kufijtë e lirisë dhe nëse ata gazetarë të vdekur tashmë kanë blasfemuar por blasfemi bënë ata që vranë ata gazetarë. Në lidhje me lirinë, dua t’iu them se ne mund të qeshim me gjithçka por jo me cilindo. Kufiri i lirisë së shprehjes është që nuk mund të qeshim me cilindo pa asnjë arsye. Karikatura është një mënyrë për t’u shprehur me humor. Koncepti i lirisë për francezët është që asgjë s’mund dhe s’duhet të më ndalojë të mendoj e të them atë që mendoj me përjashtim të kufijve që vendos ligji. Kjo është liria e të shprehurit sipas mënyrës franceze”.
Ai e cilësoi Shqipërinë si një vendet që kuptojnë më mirë lirinë e të shprehurit pasi sipas tij, shqiptarët provuan sistemin totalitar.
“Konceptin e lirisë e kuptojnë më mirë shqiptarët pasi ata kanë qenë të shtypur nga një diktator i egër dhe pa humor. Kjo ekspozitë është larg asaj që barabaria mundohet të imponojë”.
Nga ana e tij, këshilltari i kryeministrit, Shkëlzen Maliqi e cilësoi këtë ekspozitë si një mundësi ku shqiptarët po rizbulojnë traditën e tolerancës fetare.
“Në këtë ekspozitë është një parullë që tregon se pa humor gjithçka është e vdekur. Në fakt, kritika është esenca e lirisë, ndaj humori është një fuqi që e mban civilizimin gjallë. Ne vijmë nga një sistem totalitar por sot gëzojmë lirinë ndaj ne shqiptarët sot po rizbulojmë diçka që është pjese ë traditës tonë, që është toleranca fetare.
Në një prononcim për ATSH-në, Ambasadori Francez në Shqipëri, Bernand Fitoussi vlerësoi ekspozitën e sotme si një shprehje e lirisë së medias shqiptare, duke nënvizuar edhe tolerancën fetare në Shqipëri.
“Kjo tregon që Shqipëria po ecën me shpejtësi të madhe, që po ecën drejt rrugës së Bashkimit Europian të anëtarësimit, që ndan sensin e humorit me Republikën Franceze”, tha ai.
Në lidhje me lirinë e mediave dhe shtypit në Shqipëri, Fituoussi tha se “në ditën kur ndodhi antentati në revistën “Charlie Hebdo” gazetarët organizuan homazhe në nder të kolegëve të tyre në Francë. Konstatoj që ka shumë media në Shqipëri ku shprehin qartë dhe lirshëm opinionet dhe komentet e tyre për çështje të ndryshme”.
Po ashtu, ambasadori e cilësoi pavarësinë ekonomike të shtypit shqiptar si sfidën e ardhshme për tregun mediatik.
Atentati kundër “Charlie Hebdo” rindezi debatin mbi karikaturistët, një histori që nis në 1789, me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit.
Neni 11 njeh “lirinë për të shprehur mendimet”, e drejtë e vendosur përfundimisht nga Ligji për Lirinë e Shtypit i 29 korrikut 1881. Ilustrimet e periodikëve sjellin qasje të ndryshme ndaj lirisë së shtypit e të shprehjes në vende të ndryshme të botës.
Pranvera e Frankofonisë në Shqipëri, si maratonë disaditore me aktivitete e bashkëpunime, ka në qendër promovimin e vlerave të frankofonisë.
Gjuha frënge, diversiteti kulturor dhe gjuhësor; paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut; mbështetja e edukimit, formimit, arsimit të lartë dhe punës kërkimore shkencore janë synimet e saj.
Nga 17 marsi, kur Pranvera vjen në COD me një ekspozitë mbi dialogun në media, deri më 24 mars, një sërë eventesh do të organizohen në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Shfaqje filmash, ekspozita, konferenca e takime, koncerte, pjesë teatrore e më gjerë, e sjellin Francën dhe vlerat e frankofonisë në të gjitha dimensionet.