Dalja e kreut të PD-së, Lulzim Basha në konferencë për shtyp këtë të premte (11 nëntor) për sekretarin e çështjeve ligjore të partisë, Rezart Kthupi, është konfirmim i nisjes së fushatës elektorale. Kështu deklaroi Kthupi në emisionin “3D” në RTSH, teksa shtoi se brenda muajit shkurt të këtij viti mbyllet edhe procesi i riorganizimit të PD në bazë.
“PD në bazë është organizuar, Basha pas zgjedhjes kryetar bëri një tur takimesh në të gjithë vendin. Është e nevojshëm që partia të riafirmohej në bazë, ky proces mbyllet brenda muajit shkurt. Basha doli për të deklaruar fillimin e fushatës elektorale, kjo dalje është fushatë. Nuk presim domosdoshmërish zgjedhje të parakohshme, por zgjedhjet e ardhshme nuk janë larg. Për fatin tonë të keq kemi patur një mungesë politike gjatë 2 viteve të fundit, është koha të rikuperojmë këtë mungesë”, tha ai.
Në lidhje me mungesën e daljeve politike të Bashës, Kthupi tha se pavarësisht kësaj, janë prodhuar produkte politike me akte të depozituara në parlament.
“Gjatë kësaj kohe ne kemi prodhuar produkte politike, akte që janë depozituar në parlament. Është prodhuar politikë në sensin e akteve ligjore. Është koha që të vazhdohet me diskursin politik. Basha, përveçse t’i depozitojë duhet edhe t’i mbrojë”, u shpreh ai.
Lidhur me faktin se ata nuk kanë shumicën e mbështetësve në opozitën tashmë të fragmentarizuar, Kthupi tha se ata mund të jenë “copa më e madhe” pas 6 muajsh.
“Të qenit copa kryesore është proces evolutiv. Mund të mos jemi për momentin, por kjo do varet si do sillemi në raport me votuesit e PD. Të qenit copa kryesore për momentin nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është kush do të jetë pjesa më e rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme. Nëse sot jemi copa më e vogël është [produkt i 2 viteve linçimi mediatik e social. Kemi mbijetuar jemi ringritur dhe do vazhdojmë rrugën. Mund të jemi copa më e madhe pas 6 muajsh dhe mund të jemi copa edhe më madhe se të gjithë të tjerët pas një viti”, theksoi ai.
/a.r