Pasqyrë të turpit te Partisë Socialiste e cilësoi kryeministri Edi Rama Kadastrën, përpara se të njoftonte kalimin e të gjithë sistemit të shërbimeve online, si përpjekje për të zhbërë rrjetin e sekserëve, influencat dhe burokracitë. Për të realizuar atë që Rama, e cilëson si ngritjen e një sistemi armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin, kryeministri ka firmosur në 22 dhjetor 2023 strukturën dhe organiken e re të agjencisë shtetërore të Kadastrës, që përfshin një shkurtim të stafit.
Konkretisht numri i përgjithshëm i punonjësve të Kadastrës do të jetë gjithsej 1228, nga të cilët 163 do të jenë punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme dhe pjesa tjetër punonjës të drejtorive vendore të ASHK-së, Qendrës së Kadastrës Dixhitale dhe zyrave vendore të Agjencisë së Kadastrës.
Në strukturën e mëparshme, tashmë të shfuqizuar, numri i përgjithshëm i punonjësve të Kadastrës ka qenë 1293, çka do të thotë se shërbimet dixhitale kanë nxjerrë të panevojshëm vetëm 65 punonjës. Struktura e drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka mbetur e pandryshuar me 163 punonjës dhe me organikë të njëjtë. Në muajin korrik, kur hyri në fuqi sistemi dixhital i Kadastrës, kryeministri paralajmëroi rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve, por ende nuk është konfirmuar në çfarë mase do të jetë kjo rritje.
/f.s