Në 33 vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, kryedemokrati Lulzim Basha ka thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se gjatë lidershipit të tij në PD, gazeta ishte kthyer në një ‘orendi të zyrës’.
Ai tha se pas krijimit, gazeta Rilindja Demokratike u kthye në një gazetë klanore dhe personale.
“Drejtuesi aktual i Rilindjes Demokratike meriton njohjen e thellësisë intelektuale që i shkojnë për shtat imazhit të demokratëve. Ne demokratët kemi probleme edhe me perceptimin e imazhit. Pjesë e kësaj ka qenë edhe gazeta Rilindja Demokratike e cila lindi si gazetë mbarëkombëtare por u kthye në një gazetë partiake, më pas sektare, pastaj nepostiste klanore dhe në fund personale. Kaq personale sa ishte thuajse traditë e PD ta konsideronte Rilindjen Demokratike si pjesë e orendive të zyrës. Kjo është tradita fillimi është i lavdishëm, siç u tha nga 2 protagonistët kulmorë por ka shumë për të cilat jo vetëm nuk mund të krenohemi por duhet të reflektojmë”- tha Basha.
Basha u shpreh se zotimi i parë i tij është se duke nisur me shpalosjen e programit të saj elektoral, PD zotohet se do të çlirojë median nga robëria dhe lidhjet me pushtetin.
Këto të fundit sipas tij kanë zhbërë misionin kryesor të medias.
“U urojmë medias dhe punonjësve të saj një vit të mbarë dhe një vit kthese për lirinë e shtypit. Ne demokratët kemi probleme jo të vogla me imazhin dhe perceptimin e imazhit. Pjesë e kësaj është edhe gazeta Rilindja Demokratike.
Duhet të reflektojmë dhe kemi një vullnet dhe besim të rigjetur për të reflektuar siç jemi zotuar 33 vite më parë, për të ndërtuar ura komunikimi me shoqërinë, grupet e interesit dhe individët që përbëjnë shoqërinë shqiptare.
Zotimi im i dytë shkon për punonjësit e medias, për gazetarët dhe jo vetëm dhe te nevoja jo thjesht për të shkruar, por për të krijuar mekanizmat që do të zbatojnë me dorë të hekurt dinjitetin, sigurinë dhe lirinë e punonjësve të medias.
Me këto dy zotime dua ti rikthehem edhe njëherë 33 vjetorit të RD, për të krijuar një shpresë të re, për ne dhe për publikun, për median shqiptare që ka ardhur nga një vit i vështire”, u shpreh ai./m.j