Një studim i publikuar të martën thotë se impiantet e qymyrit në Ballkan i kushtojnë njerëzve dhe qeverive në Europë plot 8.5 miliardë euro në aspektin shëndetësor dhe rajonit të Ballkanit vetëm 1.2 deri në 3.4 miliardë euro.
“Ne kemi mbledhur të dhëna rreth situatës në Bosnje, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni dhe ndikimin e tyre te shëndeti i shtetasve, si dhe ndikimin që kanë në pjesën tjetër të Europës,” tha Vlatka Matkoviç Puljiç, koordinatore e Aleancës së Mjedisit dhe Shëndetit në Europën Juglindore, HEAL në publikimin e raportit në Sarajevë.
“Ndotja atmosferike e prodhuar nga një vend nuk ndalon në kufij kombëtarë,” shtoi ajo.
Sipas Matkoviç Puljiç, kostot shëndetësore u llogaritën duke shtuar të gjithë kostot që lidhen me ndotjen e ajrit nga impiantet e qymyrit, që janë përgjegjëse për shumicën e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare.
“Llogaritë tona matin kostot ekonomike të vdekjeve të parakohshme, trajtimet spitalore, mjekimet dhe humbjen e ditëve të punës,” shpjegoi Matkoviç Puljiç.
Sipas raportit, impiantet që punojnë me qymyr në Ballkanin Perëndimor janë përgjegjëse për 7181 vdekje të parakohshme në Europë çdo vit dhe kanë një ndikim dramatik në kostot shëndetësore për të gjithë kontinentin.
Impiantet në Serbi shkaktojnë dëm që vlen 4.1 miliardë euro. Ato në Bosnje janë përgjegjëse për kosto prej 3.1 miliardë euro. Shifrat për Maqedoninë janë 720 milionë, Kosova 352 milionë dhe Mali i Zi 257 milionë euro.
Shtatë nga 10 impiantet e qymyrit më ndotëse në Europë janë në Ballkan, thotë raporti, duke shtuar se pavarësisht ndikimit shqetësues të këtyre impianteve në shëndet, qeveritë në rajon planifikojnë 24 projekte të reja në të ardhmen e afërt.
Bosnja, që përbën në koston e tretë më të madhe shëndetësore, ka impiantin e qymyrit më ndotës në Europë, Ugljevik.
Ekspertët e fushës kanë bërë thirrje për hartimin e një strategjie të menjëhershme për mosndotjen e ajrit në Ballkan./BIRN