Forcat ukrainase sulmuan të martën me raketa anijen ruse “Novocherkassk”, duke i dhënë një goditje të re flotës së Rusisë në Detin e Zi.
Zëdhënësi i komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës Yurii Ihnat i tha Zërit të Amerikës se ushtria ukrainase posedonte informacion për vendndodhjen e anijes si dhe për sistemet mbrojtëse në atë zonë.
Zëdhënësi Ihnat e cilësoi “operacionin jashtëzakonisht të vështirë duke shtuar se fundosja e një anije të tillë nuk është lehtë.
Sipas tij, ushtria e Ukrainës po përmirëson aftësinë për të realizuar sulme me përpikmëri të lartë dhe Rusia “po humb, dalëngadalë, flotën dhe ndikimin e saj në Detin e Zi.”
Zëdhënësi Ihnat nuk arriti të konfirmojë nëse anija e goditur “Novocherkassk” transportonte dronë të prodhuar në Iran, por tha se nuk mund ta përjashtonte një gjë të tillë apo se anija kishte municione të aleatëve të Rusisë, të parashikuara për t’u përdorur në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sulmi ukrainas ka dëmtuar anijen Novocherkassk në një bazë në Feodosia.
Guvernatori pro-rus i Krimesë Sergei Aksyonov tha në Telegram se si paspojë e sulmit ishte vrarë një person dhe ishin plagosur dy të tjerë.
Sipas agjencive ruse të lajmeve Presidenti Vladimir Putin ishte njoftuar për sulmin.
Ushtria e Ukrainës njoftoi gjithashtu të martën se kishte rrëzuar 13 nga 19 dronë që Rusia kishte lëshuar gjatë natës. Dronët ishin shkatërruar në Odesa, Kherson, Mykolaiv dhe rajonin e Khmelnytskyi-t.
Rusia tha të hënën se forcat e saj morën qytetin strategjik të Maryinka-s në Ukrainën lindore, por Kievi hodhi poshtë këto pretendime duke shtuar se ushtarët e saj zmbrapsën tre sulme në afërsi të këtij komuniteti të shkatërruar dhe pothuajse të boshatisur.
“Nuk është e saktë të thuhet se është marrë Maryinka,” deklaroi zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Shtupun në televizionin ukrainas pas pohimeve të Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu të bëra gjatë takimit të transmetuar në televizion me Presidentin Putin.
“Luftime në Maryinka po vazhdojnë,” deklaroi zyrtari ukrainas Shtupun. “Aktualisht, ushtarët tanë janë përbrenda kufijve administrativ të Maryinkës, por qyteti është shkatërruar plotësisht.”
Maryinka është qytet relativisht i vogël – me një popullatë më pak se 10 mijë banorë – por sipas shërbimeve britanike të zbulimit, ushtria ruse po synon ta marr për të avancuar drejt perëndimit dhe për ta mbrojtur më mirë Donjeckun e okupuar.
Ukraina njoftoi të hënën se ka siguruar 1.34 miliardë dollarë, kryesisht përmes Bankës Botërore – fonde që do të përdorën pjesërisht për të kompensuar programet sociale për shkak të shpenzimeve buxhetore për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ministria e Financave shtoi se rreth 1.1 miliardë dollarë ishin hua nga Banka Botërore, një ndihmë në vlerë 190 milionë dollarë nga Norvegjia, 50 milionë dollarë nga Shtetet e Bashkuara dhe 20 milionë nga Zvicra.
“Ndihma ndërkombëtare financiare është një kontribut i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik të Ukrainës dhe na lejon të sigurojmë financimin e përparësive sociale gjatë luftës,” deklaroi Ministri i Financave Serhiy Marchenko.
“Që nga fillimi i luftës, qeveritë e Japonisë, Shteteve të Bashkuara, Norvegjisë dhe Zvicrës vazhdimisht kanë demonstruar përkrahjen dhe solidaritetin e tyre ndaj Ukrainës,” shtoi ai.
Të hënën në mbrëmje, një projektligj që u publikua në faqen e internetit të parlamentit ukrainas propozoi një prag të ri të moshës për mobilizim ushtarak duke e uluar atë nga 27 në 25 vjeç.
Presidenti Zelenskyy deklaroi gjatë një konferencë shtypi më 19 dhjetor se ushtria ka propozuar mobilizimin e rreth 500 mijë ukrainaseve, por se kjo ishte një “çështje e ndjeshme” e cila do të diskutohet nga ushtria dhe qeveria para se të dërgohej në parlament për miratim.
Zoti Zelenskyy, i cili ende nuk e ka mbështetur një propozim të tillë, tha se dëshiron të dëgjojë argumentet e palëve për nevojën e një mobilizimi të tillë.
“Kjo është një shifër shumë serioze,” deklaroi ai./voa