42-vjeçari, Mirdash Osmani i arrestuar për vjedhjen e një makine në kryeqytet, nuk është emër i panjohur për policinë.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se edhe më herët, rezulton se Osmani ka vjedhur makina, të cilat kryesisht i merrte për t’i shitur për pjesë në servisin e tij në vendlindje. Gjurmimi për makinën e vjedhur në Astir nga agjentët e Komisariatit nr. 6 u bë nga këqyrja e kamerave të sigurisë.
Burime nga policia bëjnë me dije se Osmani në momentin e arrestimit ishte me të njëjtat rroba, çfarë bindi më shumë policinë se ai ishte autor i vjedhjes së makinës. Në hetim në gjendje të lirë është edhe i biri 17 vjeç, i cili ka hequr serverin e pamjeve të kamerave të servisit dhe e ka hedhur, me qëllim për ta fshehur, por policia mundi ta gjejë.
Referuar të njëjtave burime, Mirdash Osmani përdorte një teknikë të veçantë për të vjedhur automjetet, kryesisht në Tiranë, të cilat më pas i shiste me pjesë në Gjoricë. Fillimisht makinat i merrte me qira dhe kopjonte çelësin e tyre, por i kthente te pronarët në kohë.
Vjedhjen e makinës, së cilës më herët i bënte kopje të çelësit, ai e bënte 6 muaj apo 1 vit më vonë, njëlloj siç bëri edhe në rastin e fundit. Siç shihet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë te shpërndarë nga policia, Osmani hap makinën me lehtësi dhe më pas largohet.
Ai rezulton të ketë vjedhur rreth një vit më parë në Kamëz, por edhe në territor të Komisariatit nr. 4. Burime pranë policisë bëjnë me dije se njihet si person tejet problematik dhe ka dyshime të jetë i përfshirë me disa eksponentë të grupeve kriminale që kryesisht bazën rreth e qark zonës ku banon.
/f.s