Në prill të vitit 2020 qendra e Strombeek-Bever në Belgjikë u trondit nga të shtënat. Pronari i një picerie, 42-vjeç u qëllua për vdekje brenda picerisë. Autori u largua, por pak më vonë u arrestua nga policia në Merchtem. Ai i kishte vënë flakën automjetit në të cilin ndodhej arma e vrasjes, e më pas u largua me biçikletë.
Nga hetimet rezultoi se e gjithë ngjarja kishte lidhje me trafikun e drogës dhe më pas u zbulua se pronari i picerisë që mbeti i vrarë ishte kreu i një organizate drogë.
Ndërsa pas vdekjes së tij në krye të organizatës u vendos i vëllai, ndërsa gruaja mbajti për ca kohë një rol dytësor, derisa u spostua nga organizata. Në dhjetor 2020 u kryen një sërë kontrollesh nëpër shtëpitë e të dyshuarve.
Kjo tregoi se 12 anëtarët, kryesisht shqiptarë dhe bullgarë, importonin dhe eksportonin kokainë nga Strombeek-Bever. Ata kanë tregtuar të paktën 84 kilogramë kokainë.
Teksa ka përfunduar gjykimi për grupin e drogës, një tjetër proces ka filluar në Belgjikë. Bëhet fjalë për autorin e vrasjes së pronarit të picerisë. Ai është një vrasës shqiptar me pagesë i quajtur Afrim Mema, 40 vjec. Afrim Mema prej kapjes është në burg, në pritje të gjykimit. Mema pranoi se ishte punësuar si atentator për të vrarë viktimën.
Paraditen e së mërkurës para Gjykatës së Leuven Assize u mbajt seanca e dytë paraprake për të. Gjatë seancës u diskutua shumë për përdorimin e të dhënave të “Sky ECC” gjatë gjykimit. Në fakt Mema ishte arrestuar para se të dilnin në skenë bisedat e “Sky ECC”.
Prokurori i Përgjithshëm Ben Pieters ishte i bindur me një “deklaratë të guximshme”: “Fshijeni atë nga tavolina, ne në fakt nuk kemi nevojë për atë informacion. I akuzuari tashmë ka bërë rrëfime”.
Më herët në dosje, seanca duhej të shtyhej për katër muaj, pasi mbrojtja kishte dorëzuar në momentin e fundit 267 faqe konkluzione, përfshirë edhe për “Sky ECC”. Palët e tjera donin kohë për ta shqyrtuar atë. Pavarësisht deklaratës së Pieters, mbrojtja vazhdoi me një argument dy-orësh kundër mesazheve të dërguara dhe të përgjuara përmes “Sky ECC”.
Sipas avokatëve Kris Luyckx dhe Joke Bleys, këto janë marrë në mënyrë të paligjshme. Mbrojtja gjithashtu donte të përjashtonte një pjesë, përkatësisht raportin e psikiatrit gjyqësor Ignaas Lindemans. Ai e kishte zhvilluar hetimin e tij ndaj të akuzuarit Mema në anglisht, pasi ai nuk flet holandisht apo frëngjisht dhe asistohet në të gjitha procedurat nga një përkthyes anglisht.
Megjithatë, sipas Ligjit të Gjuhës, mbrojtja ngriti pyetje në lidhje me nivelin e gjuhës angleze të ekspertit. Po ashtu, u bë e ditur se tre dëshmitarët e thirrur, të cilët ndodhen në burg në Mbretërinë e Bashkuar, do të merren në pyetje me video. Më 19 janar, kryetari Peter Hartoch do të marrë një vendim mbi të dhënat nga “Sky ECC” dhe listat e dëshmitarëve.
/f.s