Sokol Mjaçaj, i dënuar me burgim të përjetshëm ka qëlluar në drejtim të dënuarve Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja nga dritarja e ajrimit, thotë një i burgosur në burgun e Peqinit për gazetaren, Anila Hoxha.
Ai ka telefonuar i shqetësuar gazetaren e Top Channel nga një numër i brendshëm nga kabinat e telefonave të burgut. Gjatë komunikimit me gazetaren, ai ka treguar versionin e tij të ngjarjes dhe ka dhënë fakte sipas tij, se e gjithë ngjarja është pjesë e një plani të mirë menduar dhe e një rrjeti të gjerë që lidh të dënuarit me njerëz jashtë që porosisin vrasjen e kundërshtarëve të tyre.
“Armën e kishte të fshehur diku. Qëlloi Arben Lleshin dhe Indrit Shaqen. Dimë që Indriti është i plagosur më lehtë, ndërsa Arbenin dëgjuam që e kishte kapur plumbi në qafë. Unë jam i sigurt që Mjaçaj është i paguar, ai kishte kohë që donte të vinte këtu. Është i paguar për të kryer këtë krim. Te sektori këtu ka një, dy, tre ditë, nuk ka shkuar akoma në 41 biss. Janë shokët e qelisë. Tani ai ka marrë peng disa familjarë, është në ambientet e takimit”.
ANILA HOXHA:- Mori fund pengmarrja?
I BURGOSURI: –Po mori fund e pamë me sytë tanë që e nxorën nga ambienti ku ishte.
-Po ku e gjeti armën?
-E ka futur në mënyrë të fshehtë, ndryshe nuk ka sesi. Dëgjova se thanë ia mori gardianit. Gardianët këtu nuk kanë armë. Nuk duhet të ekzistojnë armë brenda institucionit, nuk ka njeri armë as nga policia as nga njeri tjetër.
-Ishte në regjim në momentin që nisi konflikti?
-Ishte në regjim të zakonshëm.
-Dy personat Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi ishin shokët e qelisë së tij?
-Jo ai ishte në sektorin e dytë në katin e dytë. Vete te dritarja dhe i godet këta dy persona nga ana që dalin në ajrim.
-Kishin ndonjë konflikt në dijeninë tënde? U përleshën para se të ndodhte kjo ngjarje?
-Jo nuk kishin konflikt dhe është pista më e mundshme që është vrasje me pagesë.
Po pse ke dalë në këtë deduksion?
-Ta them unë pse: Ai erdhi përfundimisht para 40 ditësh te Sektori 1 në katin e dytë dhe ka të paktën disa muaj që kërkon, të vijë në Sektorin 2. Është një rrjet i gjerë ky, sepse kishte dy, tre muaj që donte të vinte te sektori im ose te sektori ku ishin këta të burgosur që qëlloi.
-Po pse mendon ti se është e porositur?
-Sepse në këtë sektor ai ose ka pasur një mbështetje sepse nuk vete dot unë të kërkoj të shkoj në një sektor X pa pasur një shok ose mik ose kur kam një punë për të kryer aty.
-Dhe te ky sektor gjendeshin dhe dy të burgosurit që qëlloi?
-Po te Sektori 2 ose të Sektori ku jam unë janë ngjitur njëri me tjetrin. Ai kërkonte të vinte pikërisht te këto dy sektorë. Unë kam problemet e mia ashtu si Arben Lleshi prandaj u interesova dhe debatova me drejtorët që të mos ma sillnin në sektorin tim atë person se unë e di lidhjen. Ne këtu dëgjojmë, ne jemi këtu dhe i dimë problemet e kësaj botës sonë ndaj i thashë drejtuesve mos ma sillni në këtë sektor atë person se unë jam me probleme dhe nuk e di çfarë bën pala kundërshtare nga jashtë.
Çfarë kërkonte ai ndërsa mbante peng?
Nuk e di se çfarë. Ne vetëm mund të shihnim nga këtu çfarë ndodhte atje brenda./m.j