Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.
Shala e ka bërë deklarimin e tij të premten në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.
Prokuroria në Hagë e ngarkon Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.
“Plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Shala kur është pyetur se si deklarohet lidhur me tri akuzat.
Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
/f.s