Samiti BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Bruksel, nuk pati asgjë thelbësore për vendet e rajonit. Kështu deklaroi në emisionin “3D” në RTSH ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, teksa theksoi se ajo që ndodhi në fakt ishte thjesht një përsëritje e premtimeve dhe “fjalëve të bukura”.
Milo nuk hezitoi t’i merrte me radhë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke analizuar përfundimet e samitit, ndërsa për Shqipërinë tha se pati vetëm vlerësime për arritjet, por asgjë tjetër.
“Përveç retorikës së zakonshme nuk ka pasur asgjë substanciale. Janë përsëritur po të njëjtat slogane, po të njëjtat premtime, por në substancë për Ballkanin Perëndimor nuk pati asgjë konkrete. Për Shqipërinë nuk pati asgjë, përveç fjalëve të përgjithshme, ku përfshihen vlerësime për arritjet që ka bërë Shqipëria deri tani dhe pastaj një numër kushtëzimesh që janë vendosur në këtë deklaratën e përbashkët. Për Serbinë nuk pati asgjë të veçantë, për Malin e Zi po kështu, edhe për Maqedoninë e Veriut. Asnjë nga vendet e Ballkanit perëndimor nga ky takim nuk mori asgjë substanciale. Fjalë të bukura dhe premtime kemi që nga 2003, Samiti i Selanikut që po marrin vendet e Ballkanit Perëndimor. Kanë kaluar 20 vite dhe nuk kemi në thelb një ndryshim cilësor”, u shpreh Milo.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan me homologët e tyre të Bashkimit Evropian në samitin në Bruksel që u mbajt të mërkurën (14 dhjetor). Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, përballja me pasojat e këtij agresioni dhe ardhmëria evropiane e Ballkanit Perëndimor, ishin çështjet kryesore të diskutimeve. Në deklaratën finale, u theksua edhe njëherë angazhimi i Unionit për perspektiven europiane të Ballkanit Perëndimor. Vendet e BE-së kërkuan edhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
/a.r