Skuadra e Partizanit ka shpërdoruar në mënyrë amatoreske shansin për të minimizuar në vetëm një pikë distancën me rivalin kryesor në garën për titullin kampion, Skënderbeun, teksa çoi dëm një penallti në favor, sikurse dhe hoqi dorë nga avantazhi në minutën e 88’, kur Vangjeli, në një super hedhje, dërgoi topin në rrjetë, për të barazuar shifrat 1-1. E mbyllur në barazim 1-1, supersfida e javës së 26-të ka lënë në fuqi epërsinë e Skënderbeut ndaj të kuqve në +4 pikë. Dy protagonistët kryesorë të këtij takimi ishin padyshim Raçiç, shënues i golit të avantazhit në minutën e 20’ dhe shpërdorues i penalltisë që do të mund t’i kishte dhënë Partizanit fitoren, sikurse Vangjeli, shkaktar i 11-metërshit në disfavor të Skënderbeut dhe realizues i golit të barazimit.
Pjesa e I
Ka nisur menjëherë vrullshëm supersfida e javës së 26-të mes Partizanit dhe Skënderbeut, në duelin e tyre direkt për kreun e klasifikimit. Ishte skuadra e kuqe ajo që e detyruar nga disavantazhi prej katër pikësh nga korçarët, ka kërkuar më me insistim golin e fitores. Një mision për të cilin skuadra e Partizanit nuk vonoi të shpërblehej. Pas një rasti të shpërdoruar në zoën e kampionëve, sulmuesi serb, Raçiç, më pak se një minutë më pas, ka shlyer gabimin e tij, kësaj here duke shfrytëzuar më së miri topin e shërbyer nga Torasa, për ta dërguar atë në rrjetë, i ndihmuar edhe nga vetë portieri i Skënderbeut, Shehi. Ky i fundit ndonëse ka arritur te topi, nuk ka mundur ta frenojë atë, duke e lënë të depërtojë drejt portës. Në disavantazh me një gol, skuadra e Skënderbeut përpiqet të marrë komandën mbi lojën dhe të vihet në kërkim të golit të barazimit, por të kuqtë kanë mbyllur në perfeksion çdo koridor dhe hapësirë derpërtimi, duke bërë që të dy ekipet tu drejtohen dhomave të zhveshjes në shifrat 1-0 për Partizanin.
Pjesa e II
Fraksioni i dytë i lojës ka nisur aty ku u mbyll pjesa e parë, me Skënderbeun më kërkues që përpiqet të gjejë golin e barazimit me James dhe Prognin, por pa sukses, ndërkohë që Partizani nuk preferon të rrezikojë, përkundrazi vendoset i gjithi në gjysmëfushën e vet, në administrim të avantazhit. Aq strikt taktikisht në mbrojtje të avantazhit u vendosën të kuqtë, sa që edhe në rastet e kundrasulmit, Raçiç është lënë krejtësisht i vetëm i pambështetur nga skuadra. Pikërisht atëherë kur pritej goli i barazimit nga ekipi korçar, në minutën e 75’, gjyqtari Enea Jorgji ka akorduar një 11-metërsh në favor të Partizanit. Një penallti e ekzekutuar nga Raçiç, por e neutralizuar suksesshëm nga Shehi. Ka shërbyer ky moment për të rindezur edhe një herë të kuqtë, të cilët tashmë u ndërgjegjësuan se mund të luftojnë për të dyfishuar rezultatin. Kur mbeteshin vetëm dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, skuadra e Skënderbeut ka gjetur golin e barazimit me anë të Vangjelit, i cili në planzho ka dërguar topin në rrjetë./Telesport