REPORTAZH JAVANEWS/ Kriza ekonomike më shumë se kudo vihet re te dyndja që qytetarët bëjnë drejt tregut të rrobave të përdorura, apo siç njihet ndryshe firma “Gabi”. Përveç leverdisë ekonomike, në tregun e rrobave të përdorura mund të gjesh në jo pak raste edhe veshje firmato, që u mundësonë shumë njerëzve të vijojnë të ruajnë imazhin e tyre në rrugët apo baret e Tiranës, ndonse të ardhurat u kanë rënë. Myrjeta Alla prej vitesh shet rroba të përdorura. Madje ajo tregon edhe një fletore ku ka të shënuar jo pak emra të njohur të botës së mediave, spektaklit, zyrtarësh të niveleve të dyta, të cilët ajo i informon sa herë që vinë dengje të reja me rroba të përdorura.
Klientët VIP të “Gab”-it
Në një rrëfinm për Javanews, ajo shprehet se në përgjithësi edhe shitja e rrobave të përdorura ka rënë jo pak, ndonëse dyndjet e njerëve si rrallëherë janë shumë të mëdha. Sipas saj, është shumë e vështirë ta mbash këtë treg shitjesh, po të mos jetë një klientelë, e cila qoftë për dukje publike apo qoftë edhe për studio televizve, është e gatshme që të blejë rroba të përdorura, por që të jenë firmato. “Kam shumë numëra telefonash, kryesisht vajza, të cilat i informoj sa herë që vjen një deng i ri. Tashmë shumë prej tyre ua di edhe çfarë duan, masën e trupit, ndaj nuk e kam të vështirë që kur flas me to t’u them dhe se çfarë rrobash fiks u bëjnë punë. Blerësit kalimtar nuk e mbajnë dyqanin. Ndaj punojmë me klientë, të cilët marrin me çmime shumë të mira rroba firmato” thotë Myrjeta.
Por nga ana tjetër, sipas saj, është bërë pak e vështirë sepse në jo pak raste edhe vetë mes shitësve të rrobave të përdorura ka jo pak konkurencë për të siguruar rroba firmato të përdorura, pasi, secili prej tyre ka listën e klientëve të tij. “Me u zënë dhe për rroba të përdorura firmato vetëm këtu bën vaki”, komenton jo pa ironi Myrjeta.
Infeksionet, çfarë nuk nuk duhet të blini te “Gab”-i
Por në lakminë për t’u veshur firmato me rroba të përdorura a ka një kufi? Mjaft mjekë shprehen se duhet bërë shumë kujdes, pasi asnjë nuk e di se personi që i ka veshur më parë, çfarë sëmundjesh ka kaluar. Mjeku infeksionist, Argent Braja, shprehet për Javanews se janë disa artikuj që shiten tek rrobat e përdorura, por të cilat nuk duhen blerë për asnjë arësye. Sipas tij, asnjë femër apo mashkull nuk duhet të blejë rroba banjo, rroba sporti, apo rroba intime përdorura. “Është shumë e rrezikshme, sepse personi që i ka veshur më parë mund të ketë pasur edhe sëmundje seksualisht të transmetueshme. Sado që të të pëlqejnë ato nuk duhen blerë. Është një risk i panevojshëm”, shprehet Braja. Sipas tij, nuk duhen blerë as dyshek, pasi ato mund të jenë një vatër shumë e madhe infeksioni dhe mund të krijojnë probleme shëndëtësore shumë të rënda. Braja këshillon edhe nënat e reja që të mos blejnë shtrate bebesh të përdorura apo sedilje fëmijësh për makina. Sipas tij, rreziku më i madh nuk vjen nga infeksionet, por nga gjendja e tyre fizike, e cila mund të krijojë të papritura të pakëndshme për shkak të amortizimit. “Vajza e reja, por edhe mesogratë do t’i këshilloja që kurrë të mos blejnë mjete make- up të përdorura nga të tjerë, pasi ato janë thuajse 100% të infektuara”, shprehet mjeku infeksionist për Javanews.
(javanews.al) Me. Ar