Nga Preç Zogaj
Bllokimi i seancave parlamentare nga deputetë të opozitës synon të shërbejë si shkëndija që do të mund të ndezë mosbindjen civile jashtë Kuvendit.
Sa e mundshme është kjo? A mund të ndodhë që obstruksionizmi parlamentar brenda parlamentit të ndezë flakën e mosbindjes civile apo të një revolte popullore jashtë parlamentit?
Në parim nuk përjashtohet. Në rastin e zhvillimeve në Kuvendin e Shqipërisë do të mund të mendojmë se shqiptarët do të sensibilizohen e do të reagojnë pa dallime politike në favor të pretendimeve të deputetëve se Rama me të tijtë po shkelin të drejtën e tyre kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare. Pra po i heqin opozitës pushtetin që i jep kushtetuta për të ushtruar funksionin e saj kontrollues ndaj qeverisë.
Realisht kjo është një çështje serioze që nuk duhet të lërë indiferent asnjë qytetar, madje duhet t’i alarmonte ata. Për me tepër kur shohim se deputetët e shumicës socialiste po duan ta vështirësojnë edhe më shumë ngritjen e komisioneve hetimore nëpërmjet ndryshimeve në ligjin organik.
Ndërmarrja e këtyre ndryshimeve në kulmin e përplasjeve tregon se socialistët po nxitojnë t’i japë një veshje ligjore refuzimit të tyre të deritanishëm. Duke u vetpaditur kësisoj si arbitrarë dhe duke e shkelur palën kundërshtare në nervin e zbuluar. Mu sikur të donin ta shihnin pambarim në cirkuitin e radikalizmit dhe tymueseve.
Pavarësisht këtyre provokimeve dhe pavarësisht se sot në Shqipëri numerikisht ka më shumë opozitarë të qeverisë se mbështetës të saj, as shihet, as ndihet të ketë një vlim të revoltës popullore që t’i përngjajë sadopak formatit dhe natyrës së mosbindjes civile. Grupimi i Rithemelimit të PD-së mund të organizojë grumbullime militantësh e mbështetësish partiakë, siç ka bërë edhe herë të tjera. Asgjë më shumë. Pse?
E para, më e thjeshta: Vlerësimi si antikushtetues i refuzimit të komisioneve hetimore apo i hetimit të Berishës nga SPAK është autoreferencial. Deputetët dhe vetë Berisha citojnë vetveten dhe veprojnë në bazë të opinionit të tyre si të kishin tagrin të vulosin çfarë është kushtetuese e çfarë jo. Kur këtë tagër e ka Gjykata Kushtetuese dhe jo ata. Nga kjo pikëpamje, gjykimi normal, që përfaqëson mesataren e gjykimit popullor, konkludon se kjo opozitë nuk i ka shteruar rrugët ligjore për të zhbllokuar të drejtën e saj.
E dyta, sado të duash t’i ndash, kauza për të çliruar hetimin parlamentar dhe beteja e shpallur e Berishës kundër SPAK dhe drejtësisë së re, tashmë nga pozitat e një të akuzuari, janë në lidhje të ngushtë si forma me përmbajtjen. Ato janë ndërbllokuese. Sikur Berisha të respektonte shtetin ligjor dhe ta sfidonte akuzën dhe drejtësinë ballë-përballë, aty ku është vendi i kësaj beteje, siç bën fjala vjen ish-Presidenti amerikan, Donald Tramp, ish-Presidenti francez, Nikola Sarkozi e dhjetëra zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë në mbarë botë, kauza e çlirimit të hetimit parlamentar do të perceptohej ndryshe dhe do të kishte më shumë mbështetje nga publiku i gjerë. Kështu siç janë të ndërlidhura sot, obstruksionizmi për komisionet perceptohet si casus belli për të sfiduar drejtësinë dhe izolimin ndërkombëtar të Berishës.
E treta, për të pretenduar një mbështetje të gjerë popullore që do të përkthehej edhe në revoltë antiqeveritare e mosbindje civile, opozita në tërësi duhet të kishte ndryshuar e përtërirë drejtuesit, elitën, ligjërimin, qasjen, programin e shumë gjëra të tjera që e vendosin në rrjedhat e zhvillimeve bashkëkohore brenda e jashtë vendit. Me drejtues të stërkonsumuar dhe me një ligjërim të stëvjetëruar nuk ka shanse për një motivim traversal të shoqërisë. Dhe s’ka përse të ketë. Edhe sikur këta drejtues të përjetshëm të ishin qelibar në raport me drejtësinë. Vetë pretendimi i tyre se nuk ka të tjerë që t’i pasojë i padit si shkatërrues dhe bllokues të qarkullimit të elitave. Ç’të mbjellësh do të korrësh, thotë populli.
Këto tri arsye mjaftojnë për të shpjeguar hendekun e madh mes radikalizmit të deputetëve në Kuvend dhe indiferencës së publikut të gjerë. Por nuk mund të lëmë pa përmenduredhe një të katërt: Kontekstin ndërkombëtar. Shqipëria është vend i hapur. Krizat e saj, reale apo të inskenuara, janë të lidhura ngushtë me prioritetet dhe qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. Vetë shqiptarët, në përgjithësi, brenda dhe jashtë Shqipërisë, jetojnë dhe arsyetojnë në optikën e të qenit pjesë e një të tëre shumë më të madhe se pjesa. Politikanët që e pretendojnë të përjashtojnë prioritetet e SHBA dhe BE-së nga operandi i tyre janë dritëshkurtër. Në rastin me të mirë.
Së fundi, duhet të theksojmë dallimin e madh mes obstruksionizmit parlamentar dhe mosbindjes civile. Obstruksionizmi, një mjet i rrallë i luftës politike në vendet e lira, zhvillohet brenda kuadrit ligjor rregullator mbi të cilin funksionon parlamenti.
Kurse mosbindja civile është shkelje e vetëdijshme me mjete paqësore dhe sakrifica vetjake e një ligji, që konsiderohet i padrejtë, pa marrë parasysh ndëshkimet ligjore që në këtë rast merren të mirëqena, pa ankime, nga protagonistët.
Obstruksionizmi i një grupi deputetësh mund të konsiderohet mosbindje parlamentare në funksion të agjendës dhe interesave të grupimit politik që ata përfaqësojnë.
Mosbindja civile u përket qytetarëve, grupeve shoqërorë të caktuara. Një e tillë ka qenë, për shembull, lëvizja e fuqishme për të drejtat civile kundër diskriminimit racial në SHBA në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar nën drejtimin e Martin Luter King-ut.
Teksa përmendim shembullin e lëvizjes së Martin Luter Kingut ia vlen të sqarojmë se mosbindja civile nuk ka asgjë të përbashkët me kryengritjen e armatosur dhe marrjen e pushtetit me dhunë. Është mirë që kjo të kuptohet qartë sidomos nga një fashë anëtarësh e simpatizantësh të keqkuptuar të PD-së, që teksa bombardohen pareshtur me atë se “Ramës dhe PS-së nuk u merret pushteti me votë”, ka vite që thirren të mblidhen në Tiranë “për t’i dhënë fund”, “për t’i bërë gjyqin e fundit”, “për të hyrë brenda”. Me fjalë të tjera për të marrë pushtetin. Jo! Në një vend të NATO-s kjo nuk ndodh. Në asnjë lloj skenari.