Nuk ka vonuar reagimi i Turqisë, pas sulmit të së dielës në qendër të Ankarasë që i kushtoi jetën 37 personave. Menjëherë pas zotimit të Presidentit Rexhep Erdogan për gjunjëzimin e terrorizmit, forcat ushtarake nisën operacionet kundër rebelëve kurdë në juglindje të vendit dhe në Irak. Ne tre qytete në juglindje të Turqisë u vendos gjendja e ndalim qarkullimit, ndërsa avionë luftarakë goditën kampe të PKK-së në Kurdistanin irakian. Ushtria njoftoi se 11 avionë sulmuan 18 shënjestra, përfshirë depo municionesh dhe vendstrehime të militantëve kurdë në Kandil dhe Gara.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit konfirmoi sulmet. Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e shpërthimit të ndodhur në parkun Guven, por dyshimet e qeverisë bien tek PKK. Ministri i Brendshëm, Efkan Ala, tha se hetimet do të mbylleshin të hënën dhe se përgjegjësit do të identifikoheshin. Sipas burimeve të sigurisë një kamikaze femër e cila gjithashtu humbi jetën në shpërthim, ishte pjesëtare e PKK e cila i ishte bashkuar grupit në 2013-n. Katër persona u ndaluan lidhur me ngjarjen në qytetin juglindor të Sanliurfa, sic raportoi media turke. Rebelët kurdë kanë kryer një sërë sulmesh në Turqi gjatë mujave të fundit, por një gjë të tillë e ka bërë edhe Shteti Islamik.
Në një deklaratë më herët gjatë ditës, Erdogan tha se sulmi kamikaz në kryeqytet do të shërbejë vetëm për të forcuar vendosmërinë e forcave turke të sigurisë. Sipas tij, terroristët po shënjestrojnë civilët në Turqi, pasi po humbin betejën me forcat e sigurisë. “Populli ynë nuk duhet të shqetësohet, pasi lufta kundër terrorizmit do të përfundojë me sukses dhe ne do ta gjunjëzojmë terrorizmin”, deklaroi Erdogan.
Sulmi u dënua nga SHBA dhe NATO, të cilët deklaruan se janë përkrah Turqisë në luftën kundër kërcënimit të përbashkët nga terrorizmi. Ky ishte sulmi i tretë vdekjeprurës në Ankara brenda gjashtë muajve dhe eskpertët thonë se kjo tregon kërcënimet e shumta të sigurisë me të cilat përballet Turqia. Dikur një zonë e qetë e Lindjes së Mesme dhe aleat thelbësor i Perëndimit në një rajon të trazuar, tashmë Turqia gjendet në një moment teper të rrezikshëm.