Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, foli për aksionin politik opozitar të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në lidhje me thirrjen e ish-kryeministrit për grevë urie dhe mosbindje civile, Topi u shpreh se ka ardhur koha që Berisha të futet në grevë urie si Pjetër Arbnori, i cili rrezikoi jetën.
Ndër të tjera, ish-presidenti tha se ‘Berisha ka parë boll se si kanë bërë të tjerët’, ndërsa shtoi se kjo është një mënyrë, gjest për të cilin ish-kryeministri do të mbahet mend.
Aksioni i opozitës me këto përmasa, si e shihni?
Bamir Topi: E keni parë zotin Berisha që i hedh deklaratat përtej të mundshmes. Ajo bëhet për të thirrur nën forcë ‘eja në radhë’ militantët. Kush është jashtë këtij informacioni e shikon fatin e Berishës të mbyllur. Unë besoj se është një kapitull që duhet të jetë i fundit. Duhet të jetë epilogu.
Unë kam eksperiencën e jetës politike. Thënieve të tij se do ketë gjeste deri të mosbindje civile…më kujtohet kur i ndjeri Pjetër Arbnori, i cili shkoi në prag të vdekjes. Sot mesa duket ka ardhur dita që vetë zoti Berisha për t’i dhënë besim kësaj lëvizje të bëj grevë urie që ta provojë vetë. Të shkojë ta provojë. Boll ka parë të tjerët. Të mbahet mend që tek e fundit bëri një gjest./m.j