I njohur jo vetëm në të gjithë shqiptarinë, por edhe për tej saj. Tenori nga Peja Ramë Lahaj, ka arritur të prekë skenat më prestigjioze botërore, ndonëse rrugëtimi i tij personal e artistik, të cilin e rrëfen në podkastin “Flasim” në bisedë me kryeministrin Edi Rama, nuk ka qenë i lehtë, por i shënjuar nga Lufta në Kosovë e situata e brishtë ekonomike.
Jam i 8-i, jam i fundit. Realisht unë të dy prindërit i kam pasur bujq, të dy kanë qenë me vetëm 4 klasë shkollë, por i gjithë rrugëtimi im ka qenë nga mësimi që kam marrë nga ato katër klasë të shtëpisë, të familjes. Unë kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme”, tha Lahaj.
Solfezhin nis ta mësojë në moshë të rritur, pasi kishte mbaruar shkollën për IT. Pedagogët si Kastriot Tusha e ndihmojnë për të konfirmuar talentin, e më pas për ta zhvilluar në Akademinë e Arteve.
“Realisht po. Gjithmonë vokali më kanë dhënë shumë përparësi, edukata ime para vokalit, qasja me njerëzit dhe pedagogët më kanë dashur. Për ne po e përsëris, nëqoftëse në programin e Akademisë kanë qenë dy leksione në javë, unë kam bërë 3-4 sepse pedagogët kanë dashur të më mbështesin, e kanë kuptuar dhe mungesën”
Tregon se shqiptarët e njohur të muzikës klasike dhe jo vetëm nuk ia kanë kursyer mbështetjen .
Po ça ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?
Një vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt.
Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën.
Ka arritur majat e suksesit dhe ka punuar me emra të mëdhenj të muzikës si Placido Domingo.
Domingo kishte gjetur temperament në këndim dhe në të gjitha ato që bënim bashkë, të një Placidos të ri dhe kjo ka qenë ajo kimia që na ka mbajtur për disa vite bashkë, domethënë për 4 vite me radhë, pas 2016, ai gjithmonë nëpër aktivitete të tij ka prezantuar Operalen me prezencën time me aktivitete nëpër botë, kudo.
Tregon se në karrierën artistike ndihet i plotësuar.
Jo, realisht kam jetuar diku tek 98% e asaj që kam ëndërruar, jo vetëm në aspektin profesional, përgjithësisht.
“Po pse 98%? Ça është ky 2%? tha Rama.
“Se ka një 2% që e bën më interesant 98% tjetër” tregon Ramë Lahaj
Kryeministri Edi Rama: Që është?
Ramë Lahaj: Krijimi i familjes, një rrugëtim tjetër i ri.
Në këto rrethana, kontriubon për promovimin e muzikës klasike dhe të artistëve të rinj në shtëpinë e tij përmes projekteve të ndryshme, koncertit “Ramë Lahaj & Friends” si dhe një fondacioni që mban ermin e tij.
“Domethënë është një lloj përgjegjësie që ka qenë brenda meje gjithmonë, që suksesi nuk mund të jetë individual nëqoftëse nuk vjen në shtëpi dhe nuk shpërndahet ose nuk ndihmohet me aq sa mundemi dhe aq sa kemi mundësi”
Gjatë bisedës artisti përgëzoi kryeministrin për rijetësimin e skenave të artit, e madje biseduan edhe për arkitekturë e objekteve të kultit.
/f.s