Deputeti i PD, përkrahës i Lulëzim Bashës Enkelejd Alibeaj, ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke propozuar ndryshimin e sistemit elektoral nga proporcional-rajonal në proporcional-kombëtar me lista të hapura si dhe garantimin e votës së diasporës.
Alibeaj sëbashku me Gjiknurin, ishte bashkëkryetari i Komisionit hetimor të ngritur në shkurt të 2022, por nuk pati asnëj rezultat të prekshëm. Edhe pse ky komision nuk ka prodhuar asnjë rezultat dhe nuk ka funksionuar normalisht, Alibeaj kërkon ndryshime esenciale në Kod.
Ndryshimi i përllogaritjes së mandateve në listat emërore të deputetëve të bëhet në bazë të votave të përgjithshme dhe jo sipas zonave zgjedhore, sugjeron ai në projektligj.
“Zonë zgjedhore është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore,” thuhet në propozimin e Enkelejd Alibeajt, që nënkupton sistem proporcional kombëtar.
Sipas propozimit të bërë nga deputeti i PD, sistemi aktual i fragmetizuar ka defekte dhe sistemi me një zonë zgjedhore garanton barazinë e votës së çdo qytetari.
“Nga ky lloj sisitemi përfitojnë më shumë partitë e vogla që futen në zgjedhje, votat e të cilave nuk arrinin të nxirrnin një mandat deputeti në përballje me formulën aktuale ku partitë e mëdha favorizohen në formulën e përllogaritjes së votave sipas qarqeve.”
Alibeaj po ashtu kërkon ndryshimin e formulës së llogaritjes së votave për kandidatët fitues brenda listave shumëemërore të partive politike duke propozuar lista të hapura; cili kandidat ka marrë më shumë vota shpallet fitues dhe nuk favorizohet rrjeshtimi i tyre sipas listës që sjell kryetari i partisë.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat të listës shumë emërore.”- shkruhet në propozim.
Në projektligjin e propozuar të deputetit demokrat parashikohen dhe rregulla dhe detyrime të KQZ-së për të siguruar votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetuese mohimin e të drejtës së votës të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve.
Sipas BIRN, propozimet e Alibeajt prekin dhe pjesën e sjelljes së mediave në fushatën zgjedhore, duke ashpërsuar gjobat për gazetarët dhe operatorët televizivë në rastet e shkeljes së Kodit Zgjedhor dhe duke ritheksuar rregullat për transmetimet e reklamave politike. Ai kërkon ashpërsim të gjobave të parashikuara në këto raste duke filluar me gjoba ekzekutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në masën nga 100,000 lekë për reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300,000 lekë redaktorin përgjegjës, me 500,000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 800,000 lekë drejtorin e përgjithshëm.
Këto gjoba aktualisht janë 20,000 lekë për reporterin, 30,000 lekë për redaktorin përgjegjës, 35,000 lekë për drejtorin e informacionit dhe 60,000 lekë për drejtorin e përgjithshëm./m.j