Në gjykatë u dëgjuan rrethanat e ngjarjes, ku u evidentua se shqiptari drejtonte mjetin me shpejtësi të lartë dhe kishte përplasur për vdekje të renë. Ai u shpall fajtor për drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme me pasojë vdekjen, largim nga vendi i aksidentit dhe drejtim mjeti pa patentë.
Mbrojtja kishte kërkuar ndryshimin e akuzës së vrasjes në rrugë, por gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë.
Pas shpalljes së vendimit me 16.6 vite burg për shqiptarin, reagoi edhe nëna e viktimës, e cila ishte e pranishme në sallën e gjyqit.
“Kalofsh mirë” iu drejtua shqiptarit, nëna e 21-vjeçares së ndjerë.
Ndryshe nga pretendimet e palës mbrojtëse, Prokuroria deklaroi në seancë se makina lëvizte me shpejtësi të lartë mbi normën e lejuar, ndryshe, argumentoi organi i akuzës, “nuk do ta kishte fluturuar në ajër këmbësoren”.
Prokurorja e çështjes bëri të ditur edhe vendimin e prindërve të viktimës, për të dhuruar organet vitale të 21-vjeçares.
Aksidenti i rëndë ndodhi në Selanik të Greqisë në muajin Nëntor të vitit 2022, kur 21-vjeçarja Ema u përplas nga makina e drejtuar nga shqiptari, teksa po kalonte rrugën.
21-vjeçarja mbeti fillimisht e plagosur dhe pas 5 ditësh në spital ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda që kishte pësuar.
/f.s