Nga Artur Ajazi
Siç janë katandisur sot partitë opozitare, do të ishte më mirë të ngrinin një sindikatë, se sa një federatë. Një gjetje aspak racionale e Fatmir Mediut dhe Agron Dukës, por duket se kjo (federata) mbetet shansi i fundit i ndonjë “riorganizimi” nga ana e partiçkave të kësaj opozite. Me federatën, mendoj se do të ndjehej “komod nga halli”, edhe Doktor Berisha. Kjo për faktin sepse, “Rithemelimi” nuk po “ngjit” gjëkundi. Simbolet, flamurin , vulën dhe çdo gjë tjetër, e ka marrë Luli, Enkeledi, dhe nuk kanë gjasa ta lëshojnë. Po ashtu edhe Doktori i PD. Lufta mes tyre, po “pjell” konfederata, por do të ishte më mirë (ashtu siç janë katandisur ata sot) të ngrinin sindikatën e tyre. Ndoshta do ti shkonte emri “sindikatë”, pasi rolin dhe kerkesat e saj kanë edhe në Parlament, edhe kur dalin dhe japin konferenca shtypi.
Madje si sindikatë, sillen edhe kur i shkruajnë ndonjë gazete të huaj. Partia ka norma, rregulla, dhe ligje të përcaktuara, të cilat përmblidhen në statutin e saj. Ato janë t1% zbatueshme për këdo, nga kryetari dhe deri tek anetari bazës. Por shkelja e statutit nga partitë opozitare, mbetet aktulisht diçka normale. Kush pyet për statut në PD, apo në PR, dhe të tjera parti opozitare ? Atje vendos kryetari shekullor, vendos ai për rrugën, vijën, programin, emrat e kryesisë, emrat e listes së deputeteve, dhe nuk ka pse duhet statuti. Ndaj, bashkimi në një sindikatë, do tu shkonte për shtat, partive 33 vjeçare të opozitës.
Askush prej tyre, nuk ka ndërmend ta lëshojë ndonjëherë postin e kryetarit. Po plaken duke qendruar kryetarë, negociatorë, propozues federatash, por jo të bëjnë “hapin mbrapa” dhe tu hapin rrugëtimin të rinjve. Jam i bindur për shumë arsye se, grupimi i partive opozitare në një sindikatë, do tu ndreqte atyre shumë gabime dhe skandale, pasi do të trajtoheshin si “viktima politike”. Dhe me këtë situatë të mbingarkuar mes tyre, partitë opozitare po shkojnë drejt zgjedhjeve të reja me “besimin e patundur se do të rrëzojnë qeverisjes Rama”.
Qesharake, foshnjore, dhe e pabesueshme. Humbja që e pret opozitën aktuale edhe në 2025, do të ketë pasoja fatale për “federatën” që propozon Mediu dhe Duka. Nuk ka federatë apo dhe sindikatë, që e shpëton nga humbja edhe për 12 vjet të tjera këtë “front” opozitar, derisa në krye të tyre të jenë “pleqtë kryetarë”, që nuk po rreshtin së foluri për “qasjet e reja nga politika djathtiste” e rreme. Po paçka, deri në 2025 apo 2030, kanë kohë të mjaftueshme të ngrenë njëherë federatën, pastaj sindikatën, pastaj “mërgatën” e tyre politike…