Kujtim Dervishi, kreu i Organizatës së Restoranteve dhe Bujtinave në Shqipëri, në studion e “Ditarit” në A2 CNN, deklaroi se punëtorë nga Kameruni janë gati që të vijnë në vendin tonë për specializim dhe për të punuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë turizmin.
“Dhoma Kombëtare e Kamerunit ka ofruar shumë mundësi për sektorin e turizmit, për të bërë kurse profesionale në Shqipëri. Ne kemi hyrë në një rrugë pa krye dhe jemi të detyruar të marrim edhe nga Afrika. Ne nuk i kemi trajtuar mirë me paga stafet dhe tani jemi në një pikë ku duhet të pranojmë bashkëpunëtorë nga larg”, tha Dervishi.
Sipas tij, kamerunasit e njohin shumë mirë Shqipërinë dhe madje po ngrenë një qendër kulturore në nder të Dritëro Agollit.
“Dritëro Agolli paska bërë një libër për Kamerunin vite më parë dhe ata e kishin si idhull shkrimtarin tonë”, theksoi Kujtim Dervishi.
/a.r