Procesi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE shënoi një tjetër hap në janar të këtij viti teksa përfundoi procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.
Në Bruksel nisën takimet dypalëshe të shqyrtimit analitik të grupit të dytë të kapitujve, ku trajtohen katër liritë themelore të tregut të përbashkët të BE-së: lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit, krahas politikës së konkurrencës, pronësisë intelektuale dhe të drejtën e kompanive, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorit dhe të shëndetit.
Mirëpo duket se një çështje teknike ka kaluar në heshtje, ajo që lidhet me miratimin e letrës për Shqipërinë për procesin.
JavaNeWs pyeti ish-Kryenegociatorin Zef Mazi, nëse ka ndonjë informacion për letrën në fjalë.
Në një prononcim të shkurtër Mazi tha:
“Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Aderimin në BE (COELA) ka diskutuar informalisht për draft letrën “Shqiperia: rezutatet e Shqyrtimit Analitik per Grup Kapitullin 1 – Themeloret.”. Afati i fundit për kundërshti ose komente ka qenë deri sot 27.11.2023, ora 17.00. Pra sot ka skaduar pa asnjë koment ose objeksion. Kjo do të thotë se tani mund të shkohet për miratim me Coreper II që përbehet nga Ambasadorët kryesorë të vendeve të BE për miratim” – tha Mazi për JavaNeWs.al