Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar javë dhe muaj të vështirë sa i takon çështjes së dialogut, pasi sipas tij perëndimi po bën çdo gjë që Serbia të njohë Kosovën si shtet i Pavarur.
Megjithatë ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk do ta pranojë një gjë të tillë.
ALEKSANDËR VUCIC / PRESIDENT I SERBISE
“Ne do të jemi nën presion, ata do të përdorin dhe keqpërdorin situatën që Serbia ka diçka për të humbur, prandaj i vendosin shqiptarët nën sanksione që nuk janë aq serioze dhe në fakt po shantazhojnë Serbinë. Por unë nuk do të nënshkruaj. E kam thënë 1000 herë, madje në vendet më të vështira, përballë Macron, Scholz, Borell dhe Mirosllav Lajçak”
Presidenti serb i bëri këto komente gjatë takimit me studentët nga komuna veriore e Kosovës, Zveçani.
Marrëveshja e fundit e propozuar dhe ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian detyron qeverinë në Prishtinë të krijojë bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe nga ana tjetër Beogradin zyrtar për njohjen De facto të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta firmosur marrëveshjen, ndërsa pala serbe kërkon vënien në zbatim të saj pa e nënshkruar.
Përmbajtja e kësaj marrëveshje iu është dorëzuar të dyja palëve, ndërsa nuk është bërë publike për qytetarët.
/a.r