Pas thirrjes për një parlament funksional dhe dialog midis përfaqëuesve të tij, në një reagim të dytë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë të qartë se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre ndaj non gratës Sali Berisha.
Ashtu si edhe pak muaj më parë, kur pjesa më e madhe e opozitës nuk e kishte nisur aksionin në parlament me argumentin se shumica socialiste po i mohon te drejtat kushtetuese, edhe këtë të shtunë ambasada amerikane në Tiranë ka të njëjtin qëndrim, atë të mosbashkëpunimit me non-gratat.
AMBASADA AMERIKANE NE TIRANE
Ambasada e SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me individët e shpallur non-grata dhe nxisim të gjithë aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.
Kjo është hera e dytë që selia diplomatike i çon një mesazh të gjithë atyre që bashkëpunojnë me ish kryeministrin Sali Berisha. Ajo u bën thirrje të kenë kujdes në qasjen e tyre ndaj personave që për Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të padëshiruar.
Pas situatës së krijuar në parlament ku dy grupimet e demokratëve të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit janë bërë bashkë në mos lejimin normal të jetës parlamentare, ambasada amerikane në një reagim të saj tha se mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë.
Apelit të saj iu bashkuan edhe selitë e tjera diplomatike, gjermane, britanike dhe italiane. Ato kërkuan nga qeveria dhe opozita që të bashkëpunojnë në mënyrë që parlamenti të kryejë detyrat e tij.
Por ky reagim duket se nuk duhet të lexohet si një ndryshim qëndrimi i SHBA-së dhe jo vetëm ndaj Sali Berishës.
Për ta ish kryeministri mbetet një “non grata” dhe madje të gjithë ata që bashkëpunojnë me të duhet të bëjnë kujdes për aq kohë sa Departamenti Amerikan i Shtetit e akuzon për korrupsion madhor dhe minues të demokracisë.
/f.s