Pas deklaratave të Gazment Bardhi se Kuvendi kishte vendosur shtimin e gardistëve në sallë, burime nga Kuvendi thonë për se kryeparlamentarja Lindita Nikolla, nuk ka dhënë asnjë urdhër për masa të veçanta në sallën e seancave plenare për seancën e së hënës, raporton News24.
Në këtë seancë pritet të diskutohet për projekt-buxhetin e vitit 2024. Opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë aksionin e saj për bllokimin e seancave plenare.
Deklarata e Bardhit
Më herët gjatë ditës Gazment Bardhi se Nikolla ka urdhëruar në mënyrë të paligjshme Gardën për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare.
“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!
Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës.
Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, thuhet ne reagimin e Bardhit./m.j