Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u prit në një takim nga Ministri për Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin austriak.
Në fokus të takimit ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë drejt BE dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe ekonomisë, mes dy vendeve.
Hasani vlerësoi angazhimin e Austrisë për zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor
Gjatë ditës së dytë të vizitës së tij zyrtare në Vjenë, ministri Hasani zhvilloi takime edhe me Drejtorin e Përgjitshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi; Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Austri, Ewa Ernst-Dziedzic dhe Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, Christoph Matznetter.
Kryediplomati shqiptar konfirmoi angazhimin e Shqipërisë në bashkëpunimin me IAEA, veçanërisht në kuadër të Kornizës së Programit Vendor 2024-2030.
Ndër të tjera, Hasani vlerësoi angazhimin e parlamentit austriak në forcimin e proceseve demokratike në rajon, teksa theksoi mbështetjen e palës shqiptare për zgjerimin e dialogut politik përmes diplomacisë parlamentare.
/f.s