Autoritetet Shqiptare kërkojnë të vënë para drejtësisë Dritan Rexhepin, baronin e drogës të arrestuar pak ditë më parë në Turqi.
Ulsi Manja deklaroi se Ministria e Drejtësisë kërkon ta përfundojë këtë proces përpara autoriteteve italiane, shtet në të cilën Rexhepi është gjithashtu në kërkim.
“Është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë në rastin konkret bën ndërmjetësin për ta marrë Dritan Rexhepin’, u shpreh Manja.
Ministri i Drejtësisë u pyet edhe për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për 21 janarin, i cili kërkoi nga organet ligjzbatuese që ta rihapin këtë çështje.
“Vendimi e thotë qartë, ajo çështje tani duhet të rihapet nga organet ligjzbatuese”, shtoi ministri.
Vendimi i Strasburgut konstatoi se në hetimin dhe gjykimin e “21 janarit” janë shkelur të drejtat e njeriut. Diçka të tillë pretendon edhe shteti grek për rastin Beleri, ku mediat e vendit fqinjë flasin për një bllokadë të procesit të integrimit.
“Nuk besojmë se Greqia do të kthehet në pengesë për procesin e negociatave në BE për Belerin, nuk besoj se do të mbajë të njëjtin qëndrim si me Maqedoninë e Veriut”, tha Manja.
Ministri u pyet edhe për Kodin e ri Penal ku u shpreh se është ende në hartim e sipër, por duke u kujdesur të nënvizojë se shpërdorimi i detyrës do të vijojë të konsiderohet vepër penale.
/a.r