Vrasja e shqiptarit Arjanit Rizaj ditën e djeshme në Ekuador është e mbushur plot mister, ndonëse dhe pse mendohet se mund të ketë lidhje me trafikun e kokainës, shumë pak dihet për rolin e tij.
Arjanit Rizaj u qëllua me 9 plumba nga dy persona me motor, teksa ai qëndronte i ulur brenda makinës së tij, në një parking pranë spitalit në Guajakil.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Rizaj mund të ketë qenë “garanci” për ngarkesën e drogës. Ajo tha në emisionin “Kjo Javë” se shumë shqiptarë lihen si garanci, deri sa droga të mbërrijë në destinacion.
“Në Amerikën Latine ka shumë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve ose lihen si garanci ose janë pjesë e grupeve kriminale. Në rastin konkret, Arjan Rizai mendohet se ka qenë një garanci për një ngarkesë droge. Sa i përket ekstradimit të tij nga Turqia, është një ?çështje shumë komplekse duke qenë se ai kërkohet jo vetëm nga Shqipëria”, u shpreh gazetarja.