Nëpërmjet dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për t’i bërë të pavlefshme masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur dhe të ndalimit për të dalë jashtë shtetit.
Dy mbrojtësit argumentojnë se gjyqtarja e hetimit paraprak nuk ka zbardhur vendimin e plotë të rikonfirmimit të masës së sigurisë duke bërë masat të humbasin fuqinë.
“Në rastin konkret, shkelja e afateve për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga GJKKO, i ka humbur fuqinë vendimit të caktimit të masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit, caktuar ndaj kryetarit të opozitës dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha. Për sa më lart, arrijmë në konkluzionin se, masat shtrënguese personale të caktuara nga deputetit të Kuvendit të Shqipërisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit, të cilat janë edhe antikushtetuese sikurse e kemi parashtruar më herët, e kanë humbur gjithashtu fuqinë e tyre, për shkak të moszbatimit brenda afatit, shkaktuar kjo nga moszbardhja e vendimit sipas afatit procedural prej 48 orësh”.
Moszbardhjen e vendimit ata e konsiderojnë shkelje flagrante të ligjit.
“Mediatikisht kemi mësuar se kjo Gjykatë e ka rikonfirmuar këtë masë shtrënguese me vendimin e shpallur në datë 26 Tetor 2023. Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, kanë kaluar 12 ditë dhe ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e Gjykatës. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit procedural penal, i cili në nenin 248 pika 2 fjalia e fundit, përcakton se “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve”.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj ish-kryeministrit masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe atë të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësorë me dyshimet e përfshirjes në korrupsion.
Të hënën në 6 Nëntor, Sali Berisha vendosi të mos paraqitej përballë oficerit të Policisë Gjyqësore duke e konsideruar masën si antikushtetuese.
/f.s