Dy avokatët e kryedemokratit Sali Berisha, e konsiderojnë shkelje flagrante dhe të rëndë të Kodit të Procedurës Penale, moszbardhjen nga Gjykata e Posaçme të vendimit për konfirmimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit, që sipas tyre, GJKKO ka pasur detyrim ta zbardhte brenda 48 orësh nga dhënia e vendimit të masës së sigurisë.
“Pas shkeljeve flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) nuk heziton të cenojë edhe ligjet e tjera te vendit. Në shkelje flagrante dhe të rëndë te kodit te procedures penale, GJKKO ende sot nuk ka zbardhur vendimin për konfirmimin e masës së sigurisë, të cilin sipas ligjit, ka pasur detyrim t’a zbardhte brenda 48 orësh nga dhënia e vendimit të masës së sigurisë. Siç jeni në dijeni me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023, GJKKO ka caktuar masat shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” kryetarit të opozitës dhe ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha. Mediatikisht kemi mësuar se kjo Gjykatë e ka rikonfirmuar këtë masë shtrënguese me vendimin e shpallur në datë 26 Tetor 2023. Deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, kanë kaluar 12 ditë dhe ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të depozituar nga ana e Gjykatës. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit procedurial penal, i cili në nenin 248 pika 2 fjalia e fundit, përcakton se “Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 48 orëve”.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi shprehen se mosekzistenca e një vendimi të zbardhur dhe të arsyetuar ka sjellë si pasojë, moszbatimin e këtij vendimi brenda afatit të caktuar në ligj. Për pasojë, avokatët theksojnë se siç është e përcaktuar Kod, “kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë”.
“Mosekzistenca e një vendimi të zbardhur dhe të arsyetuar ka sjellë si pasojë, moszbatimin e këtij vendimi brenda afatit të caktuar në ligj. Ligjvënësi e ka lidhur ngushtësisht vlefshmërinë e masave shtrënguese personale me shpalljen e vendimit dhe zbatimin e masave brenda afatit të caktuar procedural dhe këtë rregull bazik për vendimet që caktojnë masa sigurimi shtrënguese e ka saktësuar në pikën 7 të nenit 249 K.Pr.P, e cila përcakton se “Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë”. Në këto kushte, akti nr. 112 datë 20.10.2023, me të cilin janë caktuar këto masa shtrënguese e ka humbur fuqinë, në përputhje me parashikimin e pikës 7 të nenit 249 K.Pr.P. Ligji procedurial penal, ka parashikuar afate strikte në rastin e masave shtrënguese, duke qenë se këto janë veprime procedurale që cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të individit, në një moment kur personi prezumohet i pafajshëm. Sipas afateve proceduriale, vendimi do të duhej të ishte arsyetuar dhe depozituar brenda 48 orëve, nisur nga data 26 Tetor 2023, sipas nenit 248 pika 2 K.Pr.P. Brenda pesë ditëve nga ky afat, nga ana e mbrojtjes do të duhej të paraqitej ankimi, sipas nenit 249 pika 1/1 K.Pr.P. Brenda 3 ditëve nga realizimi i njoftimeve, sekretaria e gjykatës do të duhej të dorëzonte aktet në Gjykatën e Apelit, sipas nenit 249 pika 3 K.Pr.P. Përfundimisht Apeli do të duhej të shprehej brenda një afati prej 10 ditësh, sipas nenit 249 pika 5 K.Pr.P”.
Gjokutaj dhe Mëngjesi theksojnë në reagim se “në rastin konkret, shkelja e afateve për zbardhjen dhe depozitimin e vendimit nga GJKKO, i ka humbur fuqinë vendimit të caktimit të masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, caktuar ndaj kryetarit të opozitës dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha. Për sa më lart, arrijmë në konkluzionin se, masat shtrënguese personale të caktuara nga deputetit të Kuvendit të Shqipërisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, të cilat janë edhe antikushtetuese sikurse e kemi parashtruar më herët, e kanë humbur gjithashtu fuqinë e tyre, për shkak të moszbatimit brenda afatit, shkaktuar kjo nga moszbardhja e vendimit sipas afatit procedurial prej 48 orësh”.
Për sa më lart, avokatët bëjnë të ditur se kanë kërkuar në GJKKO “konstatimin e humbjes së fuqisë së masave shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 K.Pr.P, caktuar ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, bazuar në nenet 248 pika 2 dhe 249 pika 7 K.Pr.P”.
/a.r