Një gjerman 23 vjeçar po mbahet nën masën e arrestit, pasi rrejshëm ka deklaruar se ka me vete një bombë të vendosur në çantën e tij dhe se po përpiqej që ta çonte atë në Ambasadën Amerikane në Berlin, njoftoi sot policia. Incidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit, në kohën kur djali u largua nga dera e Ambasadës, e cila ndodhet në qendër të qytetit, në afërsi të Portës së Brandenburgut.
Personeli i sigurisë i Ambasadës e kishte larguar të dyshuarin, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë, Jens Berger. Policia e ka identifikuar të riun si shtetas gjerman, por Ambasada Amerikane, përmes një deklarate, tha se i riu i është paraqitur personelit të sigurisë së Ambasadës me një pasaportë amerikane, duke thënë se dëshiron që ta zgjasë afatin e saj.
Më pas, ai e kishte grushtuar rojen, kur ky i fundit i kishte thënë se ai duhej të shkonte në një lokacion tjetër për ripërtritjen e pasaportës, njofton ambasada. Në kohën kur ai po arrestohej nga policia, Berger tha se ai u kishte thënë atyre se kishte një bombë në çantën e tij, e cila ndodhej para hyrjes së ambasadës. Sipas Berger, “ka shumë indikacione që ai mund të ketë probleme psiqike”, duke shtuar se hetimet janë duke vazhduar.