Partia Demokratike e Kosovës shprehet e shqetësuar për bastisjet që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit dhe anëtarëve të tyre.
Në njoftim thuhet se për PDK-në, këto bastisje janë tërësisht të panevojshme, tendencioze dhe shkojnë në nivelin e përndjekjes politike.
“Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore”, thuhet në njoftim.
Sipas PDK-së, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, me mandat të qartë dhe të kufizuar për të hetuar krimet e pretenduara për trafikim të organeve.
PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë “fushatë përndjekëse” dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre.