Në emisionin “Real Story” në ABC, analisti Mero Baze u shpreh se duhet të hetohen të gjitha kompanitë e ndërtimit të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Gjithashtu Mero Baze shtoi se SPAK duhet të bëjë një hetim më thelbësor.
“Historia e hetimit të pronave dhe pasurive të prodhuara nga ky aktivitet i paligjshëm SPAK duhet të bëjë një hetim më thelbësor sa i përket pronave. Publiku nuk duhet të kënaqet me listën e 17 apo 35 pronat e Jamarbër Malltezit. Këto janë prona personale, të krijuara nga të ardhura nga operacioni i ndërtimit në klubin Partizani. Duhet të hetohen të gjitha kompanitë e ndërtimit të Jamarbër Malltezit apo ortakut të tij që kanë kapital fillestar që buron nga afera e klubit të Partizanit. Por duhet të hetohen të bllokohen dhe të sekuestrohen në varësi të procesit”, tha ndër të tjera ai.
Nga ana e tij, analisti Skënder Minxhozi u shpreh se gjatë këtyre viteve, ish-kryeministri Sali Berisha e ka shitur veten si politikani që ka respektuar ligjin dhe se goditja më e madhe për të do të ishte të shpallurit fajtor.
“Në rastin e SPAK kemi krijuar një ide për të si një strukturë që në mënyrë të papritur do të zgjidhë gjithçka. Gjithmonë, edhe gjithë shoqëria çojnë gjithçka kanë probleme për t’i zgjidhur SPAK. Këtë çështje që po i drejtohet mesa duket gjykimit dhe është në hetim, unë do të thoja, pa anashkaluar rëndësinë e aspektit financiar, në rast se një politikani si Sali Berisha që ka luajtur gjithçka në jetën e vet me të qenurit korrekt, i papërlyer, i pastër, njeriu që nuk pranon asnjë të metë në 30 vite, që ka respektuar ligjin, mendoj që gjëja më e rëndësishme është pikërisht, aspekti politik. Është të shpallurit eventualisht fajtor, në një çështje. Kujtoj Berlusconin që ka pasur rreth 200 çështje në jetën e vet dhe në një nga proceset u shpall fajtor, dhe e çuan të kujdesej në një azil pleqsh. Megjithëse ai u rikthye, ai iku nga kjo botë si një politikan i dënuar dhe do të mbahet mend që u dënua për një x çështje. Kjo do të ishte mendoj unë goditja më e madhe për Berishës që ka problemin e korrektësisë dhe pastërtisë në raport me publikun dhe që e ka çështje parimore dhe që gjithmonë e ka shitur veten si shembulli për t’u ndjekur në çfarëdolloj aspekti”, tha Minxhozi.
/f.s