Një shqiptar është vënë në pranga pasi sipas autoriteteve italiane është pjesë e një grupi kriminelësh që merreshin me vjedhjet e shtëpive. Për muaj të tërë, Zef Bani, 30 vjeç kishte qenë nën hetim nga policia. Ai u kap në Barcelonë të mërkurën ku ishte arratisur prej disa kohësh pas një grabitje.
Sipas hetimeve, ai është një nga anëtarët e grupit që Dhjetorin e kaluar paralizuan një qytet të tërë pasi hynë në korsinë e kundërt të rrugës teksa ndiqeshin me shpejtësi nga policia.
Bëhet fjalë për 5 persona që u arratisën me një Alfa Romeo. Por gjatë ndjekjes ata shkaktuan një aksident dhe më pas u arratisën në këmbë. Vetëm njëri prej tyre, Segi Gega u kap dhe u akuzua për grabitje. Tre të dyshuarit e tjerë si pjesë e grupit janë V.T, 30 vjeç, P.S, 26 vjeç dhe M.D, 25 vjeç.
Shqiptarët janë treguar të kujdesshëm në çdo gjë, edhe në komunikime e në udhëtime. Ata kanë përdorur karta SIM të regjistruara në emër të njerëzve të tjerë dhe nuk kanë folur në celular gjatë grabitjeve.
Po ashtu ata kanë shmangur fluturimet direkte nga Shqipëria drejt Italisë pasi do të ishin subjekt i kontrolleve kufitare. Për këtë arsye kanë përdorur tranzite nga Spanja dhe Hungaria. Disa prej anëtarëve të grupit, kohët e fundit kanë ndryshuar mbiemrat dhe kanë kërkuar një pasaportë të re shqiptare duke përdorur detaje të ndryshme personale.
Zbërthimi i një prej celularëve ka qenë kyç për hetimin. Aty u zbuluan mesazhe të ndryshme mes anëtarëve të bandës ku flitej për grabitjet që do të bënin. Nga analizat u zbulua se vinin mesazhe edhe nga Spanja, posaçërisht, Barcelona. Pasi monitoruan lëvizjet e gruas së 30-vjeçarit, u zbulua se ajo shkoi në aeroportin e Barcelonës. Atje e priste i shoqi, që u vu në pranga nga autoritetet spanjolle që po e mbanin në vëzhgim pas kërkesës së autoriteteve italiane.
/a.r