Qëllimi i vetëm i perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç, një ditë pas takimit në Beograd me 5 të dërguarit e perëndimit.
Ai përsëriti se takimi i së shtunës kishte qenë i vështirë për të dhe se nuk mund të jepte më shumë hollësi. Siç deklaroi në një intervistë për mediat vendase, pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë rreth fundit të javës së ardhshme në Bruksel.
I pyetur nëse pret trysni, Vuçiç tha se vendet e Perëndimit i kanë politikat dhe qëndrimet e veta të cilat “janë plotësisht të kundërta me qëndrimin tonë”.
“Natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo ka të bëjë vetëm me ngjarjet e Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, deklaroi Vuçiç.
Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiç, në Prishtinë dhe Beograd, emisarët perëndimorë u kërkuan palëve që të normalizojnë marrëdhëniet dhe thane se shtensionimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë më parë.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi pas takimit me pesëshen diplomatike se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën janë siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit./m.j