Mbrëmjen e 11 tetorit, në median gjermane ZDF, emisioni investigativ “Numri i dosjes” (Rasti XY i pazigjidhur) ka publikuar rastin e një gruaje të vrarë dhe të paidentifikuar, e cila dyshohet se është nënshtetase shqiptare.
Ngjarja e ka zanafillën më 24 korrik 1997, ku në vendin e quajtur “Pylli i Zi” në afërsi të qytetit jugor Todtnau të Gjermanisë, pranë kufirit me Zvicrën dhe Francën, është gjendur e djegur pjesërisht një grua në moshë të re.
Emsioni e prezantoi dosjen si një rast ende i pazgjidhur dhe kërkoi ndihmën e publikut për të zbardhur, jo vetëm identitetin e saj, por edhe gjithë ngjarjen që ishte e rrethuar me mister.
Nga hetimet e kryera atëherë mësohet se trupi gjysëm i djegur i të resë ishte gjetur gjysëm i groposur mbrapa një parkingu në brendësi të pyllit pranë Todtnau. Disa metra larg trupit, polica ka gjetur në atë kohë edhe një çantë femrash që ishte bosh, si dhe një bisht cigareje që dyshojnë se i përkasin gruas në fjalë. Ndërsa ngjitur me çantën është gjetur edhe një lopatë e cila dyshohet se është përdorur nga autori i krimit për të mbuluar trupin e saj.
Gjatë programit, eksperti mjeko-ligjor, nxorri të dhënat e trupit të paidentifikuar. Sipas tij, gruaja mund të ishte e moshës 20 vjeçe, dhe se vdekja e saj mund të kishte ndodhur rreth datave 10 deri 20 korrik 1997.
Vajza ishte 164 cm dhe kishte të veshur një bluzë të bardhë dhe një fund të errët me lule, ndërsa mbante dhe një rrip lëkure në mes. Ngjyra e flokëve kafe dhe gjatësia e tyre shkonte në 34 cm.
Policia gjermane që ështe ende duke hetuar mbi dosjen e gruas së paidentifikuar, ka bërë të mundur dhe rikonstruksionin e fytyrës së viktimës me anë të teknologjisë.
Gjatë transmetimit të emisionit, dhjetra telefonat mbërritën dhe shumica e tyre dyshonin se e reja mund të ishte shqiptare. Për këtë arsye, kolegët e programit investigativ “Numri i dosjes”, kanë kërkuar ndihmën e emisionit “Pa Gjurmë” për identifikimin e saj.
Mesditën e 17 tetorit emisioni ‘Pa Gjurmë’ nxorri 9 dosjet e femrave shqiptare që figurojnë të humbura jashtë vendit nga viti 1990 deri në korrik 1997. Moderatorja e emisionit, Odeta Dume, komunikoi me një pjesë të familjarëve të vajzave të humbura gjatë kësaj periudhe, duke ripublikuar fotot e tyre dhe duke i krahasuar me identikitin që policia gjermane kishte bërë.
Kush janë 9 gratë e zhdukura në vendin tonë gjatë kohës 1990-1997?
1- Leonora Kamberaj humbi kontaktet nga Lushnja me familjen e saj në vitin 1997, kur ishte vetem 14 vjeçe.
2- Suzana Shehu nga Lushnja humbi kontatet me familjen e saj në vitin 1991, ku në vitin 1997 ishte 21 vjeçe.
3- Majlinda Buçpapaj nga Tropoja humbi kontaktet me familjen në vitin 1997, kur ishte vetem 18 vjeçe.
4- Luljeta Hyseni nga Korça humbi kontaktet në vitin 1997, kur ishte 25 vjeçe.
5- Arta Maloku nga Tirana humbi kontaktet në vitin 1994, ku në vitin 1997 ka qënë 20 vjeçe.
6- Flora Brunga nga Lezha humbi kontaktet në vitin 1996, ku në vitin 1997 ka qënë 15 vjeçe.
7- Lirije Pjeci nga Kavaja humbi kontaktet me familjen në vitin 1995, ku në vitin 1997 ka qënë 32 vjeçe.
8- Eda Koldashi nga Elbasani humbi kontaktet në vitin 1992 dhe në vitin 1997 ka qënë 38 vjeçe.
9- Merushe Dosti nga Tirana ka humbur kontaktet në vitin 1995, dhe në vitin 1999 ka qënë 33 vjeçe.
Emisioni investigativ ‘Pa Gjurmë’ do të vazhdojë ndërkohë bashkëpunimin me emisionin analog në Gjermani për të arritur në identifikimin e gruas që dyshohet se është shqiptare./m.j