Nga Skënder Minxhozi/
Ishte shumë qetësi sot në Asamblenë e PS, teksa kryetari Rama mbante fjalën e hapjes. Kishte kuriozitet të kuptueshëm për atë që ai do të thoshte mbi debatin disajavor ku e ka futur partinë ngulmimi i Ben Blushit për të pasur një garë kryetarësh brenda partisë. Rama foli, ashtu siç folën pas tij Blushi dhe të tjerë që janë me njërën ose me tjetrën palë.
Duhet thënë se kërkesa e faljes që kryetari i PS bëri ndaj atyre “që mund t’u kishte hyrë në hak”, ishte një gjetje taktike e mirëmenduar. Rama e kishte menduar gjatë gjithashtu edhe pranimin e faktit se në rastin e mandatit të tij, statuti i PS ishte shkelur. Ashtu siç kishte kalkuluar edhe variantin e një referendumi për mandatin e tij.
Por djalli fshihet tek detajet, thotë shprehja e vjetër. Dhe detajet në këtë rast, siç e vuri në dukje edhe Blushi para mediave, kanë të bëjnë me llojin e pyetjes që do të duhet të votohet në referendumin e propozuar nga Rama. Pra, do të kemi thjesht një konfirmim të kryetarit aktual të partisë, apo do t’i pyesim anëtarët e PS për diçka tjetër?
Asambleja e sotme ja kaloi kongresit sherrin e brendshëm për çeshtjen e garës për kryetarin. E vetmja ngjarje ishte shfaqja e lëvizjes së dytë të drejtuar nga Blushi, e cila si e para (Lëvizja e mendimit Ndryshe), tenton të reklamojë më shumë hapësirë dhe të drejta brenda partisë, për ata që “nuk mendojnë si Rilindja”.
E si të mos mjaftonte kjo, forumi i lartë socialist u përfshi, pas deklaratës së Blushit se Shqipëria vinte para partisë, në një garë deklaratash gjysëm komike. Për mua e para vjen Shqipëria, kurse për ty vjen më parë partia! U krijua një dualizëm absurd, që s’ja vlen as ta komentosh, sikur në të, të mos përfshiheshin edhe emra që sot kanë në dorë pjesë jo të parëndësishme të punëve të këtij vendi.
PS e sotme nuk e ka problemin e një dualizmi mes dashurisë për vendin dhe atë për partinë. Të gjithë e dimë që politikanët (thuajse të gjithë ata), shpesh duan partinë dhe veten e tyre, më shumë sesa interesat e vendit. I parë kështu, ky është një diskutim hipokrit dhe pa vlerë. PS ka sot një problem lirie të brendshme, që është në fakt një problem serioz i standartit demokratik që ajo zbaton me anëtarët dhe elitën e vet politike. Në këtë aspekt, të vihesh në garë se cili e do më shumë Shqipërinë apo partinë, është thjesht një folklorizëm pa vlerë, që devijon nga korsia e çeshtjeve serioze dhe me peshë, që ka sot në axhendë partia më e madhe në Shqipëri.